Futboll

Radha është të mësojmë edhe ‘bilancet’ e takimeve të tjera të po këtij rundi, tani nga grupi E, F, G dhe H.

17.09.2014 18:00

Bavarezët cilësohen favoritë ‘të vegjël’ të paktën në letër, për faktin se luajnë para tifozëve të vet, ndërkohë që “Qytetarët”...

Bavarezët cilësohen favoritë ‘të vegjël’ të paktën në letër, për faktin se luajnë para tifozëve të vet, ndërkohë që “Qytetarët” janë të motivuar që kësaj radhe ta nisin mirë aventurën e tyre në garën më prestigjioze për klube në botë. Shqiptarët presin që në këtë sfidë të paraqitet edhe ylli i futbollit shqiptar, Xherdan Shaqiri, i cili dihet se luan te gjermanët. 
 
Në po të njëjtin grup vjen sfida tjetër interesante. Roma në “Olimpico” do të presë rusët e CSKA Moskës në një sfidë ku futbollistët italianë janë më të favorizuar.
 
Edhe Grupi F sjell sfida të tjera interesante. Është Ajax-i i famshëm holandez, që pret ish-futbollistin e vet, Zlatan Ibrahimoviq, i cili tani luan te gjiganti francez, Paris Saint Germain. Po në këtë grup zhvillohet edhe sfida ndërmjet Barcelona-s dhe APOEL Nicosia-s.
 
Grupi G rezervon sfidën e dy skuadrave me fanella të kaltra, Chelsea-n dhe Schalke-n. Do të jetë ky dueli i dytë anglo-gjerman i së mërkurës, me anglezët që kësaj radhe janë më të favorizuar për të shënuar fitore. Kjo vjen pas startit të mirë të londinezëve në Ligën Premiere dhe fillimit të luhatshëm të Schalke-s në Bundesliga.
 
Në po të njëjtin grup presim të shohim përballjen ndërmjet Maribor-it nga Sllovenia dhe Sporting-ut të Lisbonës. Te sllovenët padyshim se do të paraqitet futbollisti shqiptar, Agim Ibrahimi, i cili është ndër më meritorët për arritjen e skuadrës sllovene në këtë fazë.
 
Për të mos i mbetur ‘borxh’ grupit të fundit, atij H, përmendim edhe përballjet që vijnë nga ky grup. Athletic Bilbao pritet të shënojë fitore përballë Shakhtar Donetsku-t, që është prekur nga problemet politike, derisa edhe Porto pritet të triumfojë përballë bjellorusëve të BATE Borisov-it.