Maqedoni
Zgjedhjet e 12 prillit, Janushev: Zaev në histori, do t’i jepet fund krimit
21.10.2019 17:16
VMRO-DPMNE ka ashpërsuar retorikën sfiduese kundrejt LSDM-së në zgjedhjet e parakohshme të 12 prillit....

Sekretari i përgjithshëm i partisë, Igor Janushev, shprehet optimist se nga janari kryeministri Zaev do t’i takojë historisë, ndërkaq VMRO nuk do të lejojë të ripërsëritet krimi i kësaj qeverie. VMRO shprehet e hapur të koalicionojë me cilëndo parti e cila do të përqafojë programin për ripërtëritje të vendit për kthimin e shtetit ligjor dhe vlerave europiane.
“Më 12 prill, VMRO-DPMNE dhe koalicioni bashkë me qytetarët do t’i japin grushtin e fundit bandës kriminogjene dhe zhvatëse të Zoran Zaevit. Menjëherë pas kësaj do të nisim me ripërtëritjen e Maqedonisë. Të gjithëve na pret punë dhe përkushtim i madh që të realizojmë vizionin e programit “Ripërtëritje të Maqedonisë”, që të kthejmë shtetin në rrugën e vërtetë dhe të arrijmë gjithçka që është humbur periudhën e kaluar përderisa LSDM ishte në pushtet. Çdo parti, qoftë ajo shqiptare apo të ndonjë përkatësie tjetër etnike, e cila do të pranojë parimet tona të punës, është e mirëseardhur në betejën fituese kundër LSDM-së dhe Zaevit”,- tha sekretari i përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së, Igor Janushev.
Kostadinov: VMRO pa vizion, do të kthejë regjimin
Por, nga LSDM thonë se betejën do ta fitojnë bashkë me qytetarët për të vazhduar rrugën e trasuar të mirëqenies sociale, pagave më të larta dhe drejtësisë joselektive. Sipas socialdemokratëve, VMRO, në mungesë të programit dhe vizionit, gjënë e vetme që ofron është ringjallja e regjimit dhe krimit.
“Nuk kanë program. Tanimë dy vite po pyesim se për çka e kërkojnë mbështetjen nga qytetarët, por që nuk e dinë. Gjëja e vetme në të cilën mbështeten VMRO janë ndjenjat kombëtare, duke manipuluar me qytetarët se nëse vijnë një ditë në pushtet, do të anulojnë Marrëveshjen e Prespës. Dhe ja po i pyes: nëse vijnë në pushtet, si do ta anulojnë këtë marrëveshje? Mickovski s’përgjigjet. Ne nuk duhet të lejojmë që ta manipulojmë rrugën nëpër të cilën ec vendi dhe të politizojmë marrëveshje vetëm për të fituar vota”,- tha zëdhënësi i LSDM-së, Kostadin Kostadinov.
Për rezolutën e paralajmëruar nga Mickovski kundër rezolutës bullgare me të cilën kërkohet të hiqet dorë nga gjuha dhe pakica maqedonase, LSDM thotë se fillimisht do të duhet të shihet propozimi dhe më pas të hapet debat. Koalicionet parazgjedhore LSDM do t’i dakordojë periudhën në vijim me mbledhjen e komitetit qendror të partisë.
MERAL ISMAILI
