Maqedoni

Vendimi për zgjedhje të parakohshme, Ramadani: Do të pësojnë reformat dhe lufta me krimin

21.10.2019 17:33

Vendimi unanim i liderëve politikë për zgjedhje të parakohshme parlamentare më 12 prill...

Vendimi unanim i liderëve politikë për zgjedhje të parakohshme parlamentare më 12 prill, duke marrë si shkas vendimin e Këshillit Evropian për pezullimin e datës për fillimin e negociatave, vlerësohet si i paqëndrueshëm dhe i nxituar. Analisti politik, Ismet Ramadani, thotë se pezullimi i datës nuk ndodhi për shkak të dështimit të qeverisë në plotësimin e kritereve, që partitë në pushtet të japin llogari në zgjedhje të reja.
 
“Kryeministri shpalli zgjedhje të parakohshme ndoshta si akt moral, mirëpo në asnjë mënyrë nuk duhet të krijohet edhe te ai por edhe të tjerët se për fajin e tij nuk u mor data. Sepse nuk kishte ndonjë deklarim në BE se faji është te kryeministri apo në mosplotësimin e kritereve dhe standardeve”,- tha analisti politik, Ismet Ramadani.
 
Përkundrazi, zgjedhjet e parakohshme do të vakin luftën kundër krimit dhe korrupsionit dhe do të zvarrisin reformat, konsideron Ramadani.
 
“Kjo qeveri duhej të shfrytëzoj edhe atë vit që i ngeli, për t’ju kthyer çështjeve, problemeve të brendshme në Maqedoni dhe ndoshta do të ishte shumë më favorite po të shkonte në zgjedhje të rregullta se sa në zgjedhje të parakohshme. Do të humbim në proceset e mëtutjeshme, sepse po hyjmë në një valë të zgjedhjeve të parakohshme, kur disa çështje duhet të përfundohen rreth anëtarësimit të plotë në NATO, disa çështje që kanë të bëjnë për të marrë epilogun në kriminalitetit dhe korrupsionit”,- u shpreh analisti politik, Ismet Ramadani.
 
Mes propozimeve që zgjedhjet e reja parlamentare të mbahen në dhjetor ose në mars apo prill, krerët e partive politike, në takimin te presidenti i Republikës, ranë dakord që zgjedhjet të mbahen më 12 prill. Siç deklaroi vetë kryeministri Zaev, propozimi që zgjedhjet të mbahen në dhjetor është refuzuar nga VMRO-DPMNE-ja opozitare.   
 
SHPËTIM NUREDINI