Maqedoni
Derkovski: KShZ, e gatshme për zgjedhjet e parakohshme
21.10.2019 18:00
Pasi që liderët e partive politike u dakorduan për zgjedhje të parakohshme parlamentare, nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor...

Pasi që liderët e partive politike u dakorduan për zgjedhje të parakohshme parlamentare, nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor shprehen se janë të gatshëm për zbatimin e zgjedhjeve të caktuara më 12 prill të viti të ardhshëm. Kryetari i KShZ-së, Oliver Derkovski, thotë se lista zgjedhore nuk është temë aktuale prej disa viteve dhe se këtë nuk e kanë përmendur as misionet vëzhguese të OSBE/ODHIR-it. Ai garanton se në listën zgjedhore nuk ka votues fantom.
“Është e qartë se ne jemi të gatshëm që të organizojmë dhe t’i zbatojmë këto zgjedhje të ardhshme parlamentare. Do të shkojmë me listën zgjedhore që në kontinuitet pastrohet në pajtueshmëri me kompetencat e KShZ-së. Unë garantoj opinionit se në listën zgjedhore nuk ka votues fantom e as diçka tjetër atje janë të gjithë shtetasit e vendit tonë që kanë arritur moshën madhore dhe kanë dokumente valide”,- tha kryetari i KShZ-së, Oliver Derkovski.
Pasur parasysh se së fundmi kishim referendum e më pas zgjedhje presidenciale, për Derkovskin është e qartë se shuma me të cilën do të mbulohen zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të jetë rreth 5 milion euro, me hapësirë për tejkalimin e së njëjtës.
“Procesi i referendumit kushtonte diku rreth 3 milion e gjysmë euro, zgjedhjet parlamentare ishin diku 5 milion euro pa kompensimet për fushatën mediatike të kandidatëve pjesëmarrës në atë garë. Kjo nënkupton se edhe këto zgjedhje do të kushtojnë afërsisht kaq. Këtu nuk po e përfshi shumën që do të pësojë për mbulimin e fushatës mediatike në bazë të ndryshimeve më të reja në Kodin Zgjedhor, për arsye se nuk mund të parashihet numri i listave të kandidatëve. Sa më i madh të jetë numri i listave të kandidatëve, aq më të mëdha do të jenë këto të dhëna për mbulimin e fushatës mediatike”,- u shpreh kryetari i KShZ-së, Oliver Derkovski.
Dakordimi i mundshëm për marrëveshjen për një njësi zgjedhore, për Derkovskin nuk do të paraqesë pengesë në zbatim. Sipas tij, bëhet fjalë për detaje teknike që shpejt përshtaten në punë, por se janë vendim politik i pjesëmarrësve në këtë proces.
FLORIJE BELULI KAMBERI
