Kuvend, deputetët miratojnë Ligjin për Inspektoratin për zbatimin e gjuhëve
Me shumicë votash dhe shumicën e badenterit, kuvendi miratoi Ligjin për Inspektoratin rreth zbatimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve...

Me shumicë votash dhe shumicën e badenterit, kuvendi miratoi Ligjin për Inspektoratin rreth zbatimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Debati për miratimin e ligjit u shoqërua me replika dhe kundëreplika midis pushtetit dhe opozitës.
VMRO-DPMNE kërkoi që Ligji për Inspektoratin të mos votohet, deri sa të merren në formë të shkruar vërejtjet e Komisionit të Venecias për Ligjin e gjuhëve.
“Këtë ligj për përdorimin e gjuhëve LSDM nuk e miratoi me qëllim të sinqertë, e miratoi si kalkulim se si të përfitojë mbështetje nga partitë shqiptare që të formojë qeveri dhe kur diçka nuk bëhet me sinqeritet, atëherë çështjet kthehen nga e para. Apeloj deri te ju që të mos jepni mbështetje dhe të hapet përfundimisht diskutimi për vërejtjet e Komisionit të Venecias”,- tha Ilija Dimovski nga VMRO-DPMNE.
Propozim ligji për Inspektoratin është në rend dite dhe jo Ligji për përdorimin e gjuhëve, reaguan nga LSDM.
“Komisioni i Venecias edhe në këtë raport, i cili akoma nuk ka dalë, nuk rekomandon që ne duhet ta zhbëjmë ligjin për përdorimin e gjuhëve. Ju shumë mirë e dini se kjo nuk është për nevoja partiake, por është pasqyrë e gjendjes faktike dhe nevojës që ky shtet ta rregullojë përdorimin e gjuhëve për të gjithë që jetojnë në këtë shtet”,- u shpreh Snezhana Kalevska Vançeva nga LSDM.
Nga BDI ftuan deputetët e VMRO-DPMNE-së që të tregojnë pjekuri, sepse, siç tha deputeti i kësaj partie, Ejup Alimi, kjo klimë politike është edhe një nga arsyet pse vendi nuk mori datë për bisedimet me BE-në.
“Në këtë kohë kolegë të etnitetit shumicë dalin dhe flasin për gjuhën e bashkëqytetarëve të tyre dhe thonë se qytetarët shqiptarë kanë nevojë vetëm për rrugë, vetëm për punësime, kanë nevojë vetëm për kanalizime, infrastrukturë etj. Është evidente, ne në këtë shtet jemi qytetarë të barabartë dhe të gjitha të drejtat duhet t’i gëzojmë në mënyrë të barabartë, si për përdorimin e gjuhës si të drejtat e tjera që burojnë nga çdo ligj”,- tha Ejup Alimi nga BDI.
Çështja e përdorimit të gjuhës, sipas Ziadin Selës nga ASh, duhej të ishte mbyllur që nga viti 2002 për të cilën fajin ia hodhi BDI-së.
“Për ne si ASh tema e Ligjit të përdorimit të gjuhëve duhej të ishte e konsumuar pas 2002. Diskutojmë tani pas 17 viteve për shkak se subjekti politik shqiptar që ka udhëhequr dhe që është pjesë e qeverisë akoma nuk ka pasur kapacitete për ta shtyrë këtë temë”,- u shpreh Ziadin Sela nga ASh.
Ligji për përdorimin e gjuhëve, që u miratua në vitin 2008, Sela tha se ishte diskriminues ndaj shqiptarëve. (Naim Ramadani, TVM2)
