Maqedoni

Ohër, vazhdon prishja e objekteve pa leje

21.10.2019 18:21

Vazhdojnë aktivitet e komunës së Ohrit për prishjen e objekteve pa leje....

Nuk dihet akoma sa do të jetë numri i tyre, sepse ka akoma disa nga objektet që mund të marrin legalizimin e tyre dhe objekte që janë nën juridiksionin e Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve, thotë kryetari i Ohrit, Konstantin Georgievski. Aksioni për prishjen e ndërtesave ilegale, njoftoi ai, do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, pasi të jetë miratuar një rebalancim i buxhetit, duke siguruar edhe dy milion denarë shtesë për prishje.
 
“Procesi do të jetë i dhimbshëm dhe i vështirë, do të marrë një vit, dy, dhe të gjitha gabimet dhe anomalitë e lejuara në të kaluarën do të duhet të korrigjohen. Përgjegjësitë për shumë ndërtesa i takojnë Inspektoratit Shtetëror të Ndërtimit, prandaj varet nga ne që të veprojmë në ato objekte për të cilat kemi burime më të vogla financiare, si dhe ato për të cilat pronarët janë të gatshëm ta heqin vetë objektin”,- deklaroi kryetari i Ohrit, Konstantin Georgievski.
 
Georgievski përmendi skadimin e marrëveshjeve për koncesionimin e shfrytëzimit të plazheve, duke theksuar se ka plazhe që me vite shfrytëzohen pa kontrata, për çka ai bën fajtorë edhe Inspektoratin e tregut, Inspektoratin e punës dhe DAP.
 
SEDAT SELIMI