Botë

Basha: Qeveria e Shqipërisë të ndjek shembullin e RVM-së

21.10.2019 18:51

Duke marrë shembullin e Maqedonisë së Veriut, kryetari i Partisë Demokratike në Shqipëri, Lulzim Basha...

Duke marrë shembullin e Maqedonisë së Veriut, kryetari i Partisë Demokratike në Shqipëri, Lulzim Basha, i ka kërkuar kryeministrit, Edi Rama, që të japë dorëheqjen, me qëllim mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Sipas Bashës, e vërteta e refuzimit të negociatave nuk ka lidhje me përplasje të brendshme brenda Bashkimit Europian, por personalisht me kryeministrin.
 
“Është koha që qeveria të ndjekë shembullin e Maqedonisë së Veriut, të marrë përgjegjësinë për dështimet e saj dhe t’ia kthejë mandatin popullit shqiptar. Me një qeveri të re, legjitime që drejton procesin e negociatave, përparimi është i mundur”, - tha kryetari i Partisë Demokratike në Shqipëri, Lulzim Basha.
 
Rama: Nuk dështoi qeveria as në RMV e as në Shqipëri
 
Por në një dalje të mëvonshme për shtyp, kryeministri tha se nuk ka asnjë arsye që të japë dorëheqjen, duke këmbëngulur se negociatat u refuzuan për shkak të politikave të BE-së.
 
"Çfarë duhet të them unë? Këtu nuk ka asgjë të re. Ata kanë punuar shumë fort dhe nuk kanë lënë gur pa lëvizur për të dështuar procesin. Nuk ja kanë dalë. Qoftë Maqedonia e Veriut, qoftë Shqipëria nuk kanë arritur të marrin atë që ju takonte si rezultat i një përplasje të brendshme në tryezën e familjes europiane. Siç e shikoni dielli ka dalë përsëri, dita ka filluar përsëri dhe rruga jonë vazhdon pa asnjë lëkundje dhe ekuivok. Duam të bëjmë Shqipërinë europiane për shqiptarët, për fëmijët tanë dhe këtë do të bëjmë çdo ditë", - tha kryeministri i Shqiprisë Edi Rama.
 
Kësisoj, në Shqipëri duket se nuk ka asnjë paralelizëm me Maqedoninë e Veriut, pasi mazhoranca nuk merr asnjë përgjegjësi pas vendimit të Këshillit Europian për të mos i hapur negociatat.
 
LULJETA NDOKA