Botë
Irani kundër pikave të ushtrisë turke në Siri
21.10.2019 19:13
Irani ka kundërshtuar krijimin e pikave të pozicionimit të ushtrisë turke në Siri....

Irani ka kundërshtuar krijimin e pikave të pozicionimit të ushtrisë turke në Siri, duke thënë se duhet të respektohen kufijtë në mes të të dyja shteteve. Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme iraniane, Abbas Mosavi ka thënë se çështjet në mes të Sirisë dhe Turqisë duhet të zgjidhen “sipas rrugëve diplomatike”. “Ne jemi kundër krijimit të pikave të pozicionimit të ushtrisë së Ankarasë në Siri. Integriteti i Sirisë duhet të respektohet”, ka thënë ai.
Por presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka deklaruar se Turqia nuk synon tokat e asnjë shteti, lirinë ose interesat e asnjë populli. Turqia është në Siri, Irak, Afganistan, Libi, Afrikë, Ballkan me qëllime të tjera vetëm për shkak të unitetit të fatit që ka me vëllezërit e saj u shpreh Erdogan. Erdogan bëri thirrje për ristrukturimin e institucioneve kryesore të sistemit global, përfshirë këtu edhe Kombet e Bashkuara.
Zyrtarët e milicisë së kurdëve sirianë kanë pranuar tërheqjen e forcave të tyre nga zona kufitare në verilindje të Sirisë, duke vepruar në përputhje me armëpushimin e ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, i cili parasheh largimin e forcave dhe civilëve kurdë nga ky territor.
