Botë

Trump: Disa trupa amerikanë do të qëndrojnë në Siri

22.10.2019 11:01

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka bërë të ditur se disa trupa amerikane...

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka bërë të ditur se disa trupa amerikane do të qëndrojnë në Siri, pavarësisht kërkesës së tij për tërheqje të ushtarëve nga ky shtet. Ai ka thënë se një numër i vogël i ushtarëve do të mbrojnë territoret e naftës në Siri, derisa të tjerët do të qëndrojnë afër Izraelit dhe Jordanisë. Dy javë më parë presidenti Trump ka marrë vendim për tërheqje të trupave amerikane nga rajoni kufitar mes Sirisë dhe Turqisë.
 
Ndërkohë, Turqia ka nisur një operacion ushtarak kundër ish-aleatëve amerikanë, kurdëve. Zyrtarët e milicisë së kurdëve sirianë kanë thënë se kanë gatishmëri për t’i tërhequr forcat e tyre nga zona kufitare në verilindje të Sirisë, duke vepruar në përputhje me armëpushimin e ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, i cili parasheh largimin e forcave dhe civilëve kurdë nga ky territor. Turqia vlerëson se luftëtarët kurdë janë një zgjatim i Partisë Popullore të Kurdistanit (PKK), e cila ka zhvilluar një fushatë brenda Turqisë prej vitit 1980, dhe të cilën Ankaraja, Uashingtoni dhe Bashkimi Evropian e kanë shpallur organizatë terroriste.