Botë
Erdogan për vizitë në Rusi, sot përfundon edhe armëpushimi pesëditor në Siri
22.10.2019 11:26
Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, do ta vizitojë sot Rusinë për të biseduar me homologun e tij rus...

Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, do ta vizitojë sot Rusinë për të biseduar me homologun e tij rus, Vladimir Putin, lidhur me zhvillimet në pjesën verilindore të Sirisë.
Pikërisht sot përfundon edhe armëpushimi pesëditor, i arritur mes palëve të konfliktit përmes ndërmjetësimit të zëvendëspresidentit amerikan, Mike Pence. Turqia ka paralajmëruar se do ta vazhdojë ofensivën ushtarake edhe pas armëpushimit, nëse nga zona kufitare nuk largohen të gjithë militantët kurdë. Të hënën, presidenti turk tha se vendi i tij do t’i marrë hapat e nevojshëm për Sirinë pas takimit me Putinin.
“Ne do ta shqyrtojmë këtë proces me Putinin dhe pas kësaj, do t’i marrim hapat e nevojshëm”, tha Erdogan.
Kremlini njoftoi se dy liderët do të takohen në Soçi, afër Detit të Zi dhe do të bisedojnë edhe për tema të tjera, si luftimi i grupeve terroriste ndërkombëtare dhe promovimi i procesit të arritjes së marrëveshjes politike në Siri. Vizita e Erdoganit në Rusi u parapri nga një bisedë telefonike mes presidentit rus dhe homologut të tij francez. Gjatë kësaj bisede, dy liderët kërkuan që të zgjatet periudha e armëpushimit.
