Maqedoni

Shekerinska: Anëtarësimi në NATO, së shpejti realitet

22.10.2019 12:34

“RMV në NATO, përfitimet politike dhe të sigurisë, si dhe rreziqet dhe sfidat”, ishte temë e panel...

“RMV në NATO, përfitimet politike dhe të sigurisë, si dhe rreziqet dhe sfidat”, ishte temë e panel diskutimit në kuadër të karvanit të NATO-s që u mbajt në qytetin e Kumanovës. Ajo që para dy vitesh dukej e pamundur kurse tash kur shumë shtete e ratifikuan protokollin për anëtarësimin e RMV-së në NATO, mund të thuhet se e kemi arritur qëllimin strategjik, tha mes tjerash ministrja e mbrojtjes, Radmilla Shekerinska.  
 
“Anëtarësimi në organizatën më të fortë botërore do të thotë sulm mbi të si sulm mbi të gjitha 29 shtete anëtare të NATO-s. Ky është sinjal i mjaftueshëm që mos të mendojë ndokush që ta cenojë sigurinë dhe stabilitetin e vendit. Por, anëtarësimi, përpos anës pozitive politike, ka edhe anën pozitive ekonomike, gjë që edhe u dëshmua. Vetëm në vitin që morëm ftesën për anëtarësim ne fituam 4 herë më tepër investime të huaja se sa vitet e mëparshme”,- tha ministrja e mbrojtjes, Radmilla Shekerinska. 
 
Edhe ambasadorja e Malit të Zi në Shkup, Marija Petroviq, foli për rëndësinë e anëtarësimit në NATO, për çka kanë mbetur vetëm edhe disa procedura teknike.
 
“Shpresojmë që Maqedoninë e Veriut shumë shpejt do ta presim si anëtaren e 30 të NATO-s. Edhe tani RMV po jep kontribut të madh të stabilitetit si në rajon, por edhe më gjerë. Me anëtarësimin në NATO, RMV do të vulos shtetësinë, sovranitetin dhe integritetin e vet. Është e qartë se RMV tashmë trajtohet si anëtare e NATO-s, por procedurat teknike patjetër duhet të kryhen dhe shpresoj se kjo do të ndodh deri në Samitin e Londrës. Anulimi eventual i formalizimit të anëtarësimit për 1 apo 2 muaj, do të jetë rezultat i rrethanave objektive tek të cilat nuk mundet askush të ndikojë, siç është rasti me Spanjën dhe zgjedhjet e jashtëzakonshme të caktuara për muajin nëntor”,- theksoi ambasadorja e Malit të Zi në Shkup, Marija Petroviq.
 
Në fund Shekerinska dhe Petroviq iu përgjigjën pyetjeve të qytetarëve.
 
FATLUM AQIFI