Maqedoni

Zaev: Vendimi i Francës, e drejtë e saj, do t’i bindim që morën vendim të padrejtë.

22.10.2019 15:08

Pezullimi i datës për fillimin e negociatave me kërkesë të Francës nuk ka luhatur marrëdhëniet dypalëshe...

Pezullimi i datës për fillimin e negociatave me kërkesë të Francës nuk ka luhatur marrëdhëniet dypalëshe me këtë vend anëtar të BE-së. Kryeministri, Zoran Zaev, thotë se bashkëpunimi mbetet i njëjtë dhe se do të përpiqet miqësisht që ta bind presidentin e Francës, Emanuel Makron, se ka marrë vendim të gabuar. 
 
“Ne ndërtojmë politikë miqësore. E shihni edhe qasjen tonë ndaj kryetarit Makron dhe Republikës së Francës. Franca është vend i rëndësishëm evropian. Kush e di sa të mos na pëlqejë vendimi, ajo është e drejtë tyre e brendshme dhe e BE-së. Përmes miqësisë duam t’i bindim ato vende, ata burrështetas që morën vendim jokorrekt, joparimor ose të padrejtë”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
 
Zaev: Herët për qeveri teknike, vazhdojmë reformat
 
Pezullimi i datës nuk do të ketë efekt në zbatimin e marrëveshjeve dypalëshe me Bullgarinë dhe Greqinë, edhe pse të dyja lidheshin me procesin eurointegrues. Zbatimi i tyre vazhdon me ritëm me të njëjtë, por edhe reformat dhe angazhimet për përmirësimin e ekonomisë. Për këtë arsye, sipas kryeministrit Zaev, është herët të flitet për formimin e qeverisë teknike.
 
“Ende është herët. Qeveria është e orientuar që të mbajë tempon e reformave ekonomike dhe reformave në përgjithësi që po ndodhin në vend, pasi, siç e dini, kemi synim rritjen e BPV në 4%. Kjo do të thotë shumë vende të reja pune, shumë investime, rritje të eksportit dhe standardit jetësor të qytetarëve”,- u shpreh kryeministri, Zoran Zaev.
 
Zaev përjashtoi mundësinë që të kenë filluar bisedimet për koalicione të mundshme parazgjedhore. Tha se në bashkëqeverisjen me BDI-në ka bashkëpunim, por edhe mosmarrëveshje. Edhe një herë konfirmoi se do të angazhohet për një mandat të dytë si kryeministër dhe se partnerin e koalicionit pas zgjedhjeve do t’ia përcaktojnë qytetarët. 
 
SHPËTIM NUREDINI