Arsimimi mediatik, ekspertët: Duhet të kyçet në arsimin formal
Opinioni publik e ka rolin kryesor në rregullimin e mediave...

Opinioni publik e ka rolin kryesor në rregullimin e mediave. Kritikat e qytetarëve janë ato që bëjnë të rritet niveli i profesionalizmit të mediave. Në Maqedoninë e Veriut qytetarët çdo ditë e më shumë njohin lajmet e rreme, propagandën dhe dezinformimin.
Por, për të edukuar qytetarët më shumë në këtë aspekt, e patjetërsueshme sipas autoriteteve është futja e arsimimit mediatik në arsimin formal.
“Ajo është edhe synimi ynë. Duke marrë parasysh atë se prej fëmijëve të vegjël e deri te personat më në moshë, të gjithë janë të ekspozuar ndaj informacioneve të ndryshme që vijnë prej platformave të ndryshme informative. Patjetër duhet të dinë ta ndajmë të rëndësishmen nga e parëndësishmja, gënjeshtrën nga e vërteta dhe t’i ndajmë faktet mbi bazën e së cilës është bërë informacioni”,- tha drejtori ekzekutiv i MIM, Biljana Petkovska.
“Pa atë nuk do mundet të ndërtohen qytetarë mediatikisht të arsimuar. Segmenti i dytë është rritja e nivelit arsimor mediatik tek vetë gazetarët dhe redaktorët që të jenë të vetëdijshëm për rëndësinë e arsimimit mediatik, për shkak se ata vetë janë një nga segmentet më të rëndësishëm në këtë zinxhir”,- tha drejtori i AShMAA, Zoran Trajçevski.
Këshilli për Etikë: Informimi i njëanshëm, problemi kryesor
Në Këshillin për Etikë janë paraqitur mbi 50 ankesa që kanë të bëjnë me informim joprofesional. Ankesat më të shumta kanë të bëjnë me informim të njëanshëm.
“Informimi i njëanshëm është gjëja për të cilën ka më shumë ankesa në Këshillin për Etikë, pa marrë parasysh nëse ankohet ndonjë qytetar, përfaqësues institucioni, përfaqësues të partive politike, të organizatave joqeveritare, funksionarë e kështu me radhë. Përveç asaj, shumë shpesh kemi ankesa për rastet për përzierjen e fakteve me mendimet, gjuhën e urrejtjes, si dhe diskriminimin në baza të ndryshme. Për fat të keq kjo tregon se në gazetari ende duhet të punohet shumë”,- u shpreh drejtoresha e Këshillit për Etikë, Marina Tuneva.
Prej 22 tetor deri më 15 nëntor do të mbahen ditët e arsimimit mediatik. Nëpërmjet konferencave, seminareve, punëtorive të ndryshme, do të tentohet ngritja e vetëdijes së qytetarëve për të veçuar lajmet e rreme nga ato të mirëfillta dhe për të reaguar ndaj informimit jokorrekt. (Ersan Pajaziti, TVM2)
