Maqedoni

MASh: Zgjidhje me SAShK-un nëpërmjet dialogut

22.10.2019 15:53

MASh pret përgjigjen finale nga SASHK-u për vendimin përfundimtar që do të merret të premten...

MASh pret përgjigjen finale nga SASHK-u për vendimin përfundimtar që do të merret të premten, sa i përket propozimit të Qeverisë dhe MASh-it për rritjen e pagave. I pyetur për qëndrimet e deritanishme të këshillave rajonalë të SAShK-ut për rritje të pagave me fillim nga muaji janar dhe përqindje më të lartë, numri një i këtij dikasteri, Arbër Ademi, thotë se pas marrjes së përgjigjes finale nga SAShK-u do të ulet dhe do të bisedojë me Kryesinë e SASHK-ut. Ademi konsideron se përmes dialogut do të gjendet një zgjidhje e pranueshme për të dyja palët.
 
“Unë po pres nga ata përgjigjen finale dhe pasi që të kenë ata përgjigjen finale nga vendimi që do të merret në organizatat sindikale në nivel të regjioneve, do të ulemi dhe do të bisedojmë. Por, prapë e përsëris, kjo ka qenë një rritje historike e pagave në RMV në sektorin e arsimit, ku rritje e pagave po ashtu edhe Ligji për bashkëpunëtor profesional tregon qasjen serioze të Qeverisë dhe MASh-it për përmirësimin e statusit social dhe material të të punësuarve”,- deklaroi ministri i Arsimit, Arbër Ademi.
 
200 fëmijë të pavaksinuar mbeten në shtëpi. Ademi: Kjo çështje do të debatohet në qeveri
 
Në seancën e sotme të Qeverisë do të shqyrtohet edhe çështja e 200 fëmijëve që nuk janë regjistruar në shkolla si rezultat i mosvaksinimit dhe pritet edhe përpunimi i të dhënave në nivel nacional. Ministri Ademi thekson se do të shqyrtohen të gjitha mundësitë ligjore për ofrimin e zgjidhjes së kësaj çështje duke potencuar se deri më tani ka aktvendim të Gjykatës Kushtetuese, ku thuhet se nuk guxon të kërcënohet shëndeti kolektiv si pasojë e mosvaksinimit. 
 
“Pasi shqyrtuam aspektet ligjore, unë premtova dhënien e numrit final të nxënësve të paregjistruar si rezultat i mosvaksinimit, kur t’i kemi materialet shtesë ata do t’i dorëzojmë në mbledhjen e parë të Qeverisë që ta trajtojmë si çështje dhe t’i diskutojmë të gjitha solucionet dhe alternativat e mundshme”,- tha ministri i Arsimit, Arbër Ademi.
 
Ademi njëherit thotë se mbetet i angazhuar për zgjidhjen e problemeve me mësimin shqip në Bërnjancë, Veles, e Vizbeg dhe pa marrë parasysh zgjedhjet e parakohshme parlamentare, do të japë maksimumin për përmirësimin e cilësisë në sferën e arsimit. Këto komente Ademi i bëri gjatë takimit me grupin punues për përpilimin e konceptit për arsimim inkluziv.
 
FLUTURA LATIFI