Botë
Vuçiq: Nuk ka njohje të Kosovës në kufijtë aktualë
22.10.2019 16:56
Brenda kufijve aktualë, Beogradi nuk do ta njohë Kosovën....

Kështu ka deklaruar presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, në një intervistë për të përditshmen “STANDARD” të Vjenës. Vuçiq në këtë intervistë ka thënë se nuk ka gjasa që Beogradi ta njohë Kosovën edhe pse thotë se ka dëgjuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës që BE-ja ka ndryshuar qëndrimin e saj dhe se mund të kërkojë njohje nga Beogradi. Po ashtu presidenti serb shpreh dyshimin se BE mund të mos i mbajë premtimet ndaj Serbisë, siç nuk i mbajti ndaj Maqedonisë së Veriut.
“Dëshirojmë të shohim se çfarë thonë negociatorët e Prishtinës dhe pse e thonë. Sigurisht, dëshirojmë të dëgjojmë edhe atë se çfarë ka për të thënë BE-ja. Deri tani BE-ja nuk ka parashtruar asnjë kusht për Serbinë. Megjithatë, ne nga amerikanët kemi dëgjuar se shumëçka është ndryshuar, por dëshirojmë ta dëgjojmë nga partnerët tanë evropianë. Nuk mund ta përjashtoj mundësinë se BE-ja do të kërkojë njohje, por nuk e ka bërë një gjë të tillë deri sot. Nuk është shumë e mundshme se do ta njohim Kosovën. Nuk mendoj se do të ndodhë, por nuk mund t’ia mbyllim dyert dialogut. Të dyja palët duhet të humbin, në mënyrë që të vazhdojë situata “fitore-fitore”. Nuk ka mundësi njëra palë të fitojë të gjitha, njohjen, territorin tonë dhe njerëzit tanë. Çka do të fitojmë ne? Anëtarësimin e mundshëm në BE pas dhjetë vjetësh? Kush mund të na garantojë? A do të ishte një garanci se si Maqedonia e Veriut nuk e mori atë që i është premtuar fillimi i negociatave”,- ka thënë Vuçiq.
Presidenti serb po ashtu theksoi se ekziston vetëm një kusht për rikthim në dialog me Kosovën, e ajo është heqja e taksës.
GYLTENE SINANI
