Maqedoni

Mosdhënia e datës për RMV–në, eurodeputetët: Padrejtësi dhe gabim historik

22.10.2019 17:18

Liderët e grupeve më të mëdha politike në Parlamentin Evropian e kanë quajtur padrejtësi...

Liderët e grupeve më të mëdha politike në Parlamentin Evropian e kanë quajtur padrejtësi dhe gabim historik mosdhënien e datës për bisedime për RMV-në dhe Shqipërinë.
 
Mafred Weber nga Partia Popullore Evropiane kërkon nga BE të përkushtohet më tepër  për zgjerimin. Ndaj Tiranës dhe Shkupit u bë një gabim i  madh, tha Weber. 
 
“Nga këto dy vende kërkojmë shumë. RMV ndryshoi edhe emrin për të marrë perspektivë evropiane, ndërsa ne në fytyrë ua mbyllëm derën”,- tha eurodeputeti gjerman, Mafred Weber.
 
BE duhet të mbajë premtimin dhe të shpërblejë vendet që realizojnë reforma, thanë deputetët e PE-së.
 
“Kërkojmë nga fqinjët tanë të realizojnë reforma, ndërsa kur e arrijnë këtë, i lemë duke pritur”,- tha eurodeputetja, Garsia Peres.
 
“Jam i bindur se zgjerimi duhet të ngel në zemrën e politikës evropiane. Nuk mund të kemi Evropë të fortë pa pasur Evropë të hapur për fqinjët tanë, sidomos për ata që besojnë në BE”,- tha eurodeputeti, Daçijan Çolo.
 
I pari i Këshillit Evropian, Donald Tusk, shpreson se liderët e BE-së do t’i kthehen kësaj çështje sa më shpejt që është e mundur.
 
“Pas rekomandimit të pastër nga Komisioni Evropian, numri i madh i vendeve të BE-së deshën të hapin bisedimet. Por, nuk u arrit konsensus dhe ky ishte gabim. Tash shpresoj që liderët do të gjejnë konkluzë të drejtë dhe do t’i kthehen kësaj çështjeje para samitit të Zagrebit, në maj 2020”,- tha kryetari i Këshillit Evropian, Donald Dusk.
 
Ndërkohë, euroambasadori, Samuel Zhbogar, apelon partnerët evropianë të mbajnë premtimin dhe të koncentrohet në reformat e brendshme.
 
“Kuptojmë dëshpërimin e qytetarëve dhe politikanëve nga vendimi  i Këshillit Evropian nga Samiti i Brukselit, por mbetemi të përkushtuar për eurointegrimin e vendit, ndërsa rajoni i Ballkanit Perëndimor mbetet prioritet strategjik i BE-së" - ka thënë euroambasadori, Samuel Zhbogar, në intervistë për Agjencinë e lajmeve MIA.
 
Nga Ambasada gjermane komentojnë epilogun e Brukselit për RMV-në  dhe Shqipërinë. Për Gjermaninë, fillimi i negociatave për anëtarësim në BE me Republikën e Maqedonisë së Veriut mbetet çështje thelbësore e sigurisë dhe stabilitetit në Evropë. Rekomandojnë vendi tonë të vazhdojë me reformat.
 
“Në interes të përbashkët evropian është që të integrohen shtetet e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Që kjo të ketë sukses, duhet të mbajmë premtimet tona, perspektivën evropiane të këtyre vendeve bashkë ta zbatojmë. Ky është parakushti më i mirë që të avancohen reformat dhe zhvillimi i shtetit juridik, ndërsa me këtë ky është edhe parakushti më i mirë për mirëqenie, stabilitet dhe siguri brenda në Evropë”,- thuhet në komunikatën e lëshuar nga Ambasada gjermane në vend.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU