Protestë në Institutin e Kimisë, kërkojnë kushte më të mira dhe punësime

22.10.2019 17:31

Profesorët dhe studentët e Institutit të Kimisë pranë Fakultetit Matematiko – Natyror në Shkup...

Profesorët dhe studentët e Institutit të Kimisë pranë Fakultetit Matematiko – Natyror në Shkup shprehin pakënaqësinë e tyre për kushtet e punës dhe studimeve. Ata kërkojnë punësime të reja dhe në buxhetin e vitit të ardhshëm të parashihen mjete për renovim dhe pajisje për laboratorë si dhe për financimin e projekteve hulumtuese.

“Për tetë vite me radhë nuk është marrë asnjë pëlqim për të punësuar asistentë dhe ndërkohë më shumë se dhjetë profesorë të Institutit të Kimisë kanë dalë në pension. Statistikat tregojnë se në vitin 2000  kane qenë 58 punonjës, 44 mësimdhënës dhe asistentë dhe 14 laborantë, në vitin 2010 kishte 44 të punësuar, sot në Institut punojnë 24 punëtor,ë prej të cilëve 20 mësimdhënës, 15 profesorë me orar të rregullt, katër laborantë dhe asnjë asistentë”,- tha profesoresha e institutit, Marina Stefova.                                                  

Ndërsa studentët theksuan se nëse nuk iu mundësohen kushtet në këtë institut, do të jenë të detyruar të largohen jashtë vendit.

“Askush nuk do që të largohet nga këtu, por nëse asgjë nuk ndryshon, atëherë ne jemi të detyruar të largohemi për kushte më të mira në arsim. Diturinë që e fitojmë në këtë institut është në nivel të lartë, por ne atë që dimë në praktikë nuk mund të shfaqim, sepse nuk kemi mjete”,- tha një studente.

“Konkretisht nuk mund të thuhet se sa jemi mbrapa, por kur shohim kushtet ne që i kemi këtu, atëherë mund të vërehet  dallimi me vendet e huaja”,- u shpreh një studente.

Ministri i Arsimit, Arbër Ademi, theksoi se kërkesa për punësime nga ana e Ministrisë është aprovuar tani lënda është në Ministrinë e Financave.

“Së fundmi ka pasur një kërkesë për angazhimin e dy asistentëve dhe 3 laborantëve të lartë dhe Ministria e Arsimit është përgjigjur pozitivisht.  Të njëjtën lëndë e kemi proceduar edhe në Ministrinë e Financave dhe presim edhe nga atje të marrë përgjigje pozitive. Me rëndësi është që ne vazhdimisht në kontinuitet i mbështesim institucionet e arsimit të lartë edhe në aspekt të ekipimit kuadrovik”,- tha ministri i Arsimit, Arbër Ademi.

Instituti i Kimisë disa herë u ka bërë thirrje institucioneve që t’i mbështesin dhe t’i ndihmojnë ata, mirëpo gati se një dekadë ata nuk janë mbështetur në mënyrë të duhur nga institucionet kompetente. (Rejhane Bushi Metaj, TVM2)