Maqedoni
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare, Deralla: Nuk duhen të mbahen, ngadalësojnë reformat
22.10.2019 17:47
Organizata Joqeveritare “Civil” vlerëson se nuk duhet të mbahen zgjedhje të parakohshme parlamentare...

Organizata Joqeveritare “Civil” vlerëson se nuk duhet të mbahen zgjedhje të parakohshme parlamentare, pasi që ky proces dukshëm do të ngadalësojë reformat e rëndësishme europiane dhe ekonominë.
Kryetari i kësaj shoqate, Xhabir Deralla, kërkon nga krerët e partive politike të rishikojnë vendimin e tyre, por nëse të njëjtat duhet të shpallen, ato të mbahen para 12 prillit të vitit të ardhshëm.
“Nëse duhet të ketë zgjedhje të shpejta parlamentare, OJQ “Civil” kërkon nga institucionet dhe nga qendrat politike të rishikojnë vendimin e tyre për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 12 prill dhe të njëjtat të organizohen më së voni deri dhjetor ose janar të vitit të ardhshëm. Këto janë zgjedhje të shpejta parlamentare e jo në prill të vitit të ardhshëm”,- tha kryetari i OJQ “Civil”, Xhabir Deralla.
Deralla po ashtu vlerëson se nuk ka kohë që para organizimit të këtyre zgjedhjeve të bëhen ndryshime serioze të Kodit Zgjedhor dhe të bëhet azhurim i mirëfilltë i listës zgjedhore, sepse, sipas tij, në zgjedhjet e ardhshme mund të paraqiten të njëjtat probleme dhe dilema si nëpër ciklet e kaluara zgjedhore me financimin e fushatave zgjedhore.
REXHEP QAMILI
