Maqedoni
VMRO: Zaev me zgjedhjet në dhjetor shkelë “Përzhinën”. LSDM: VMRO kundër rritjes së pagave të qytetarëve. Qeveria teknike, Spasovski: Për kryeministrin teknik vendos Zaev
22.10.2019 18:05
VMRO-DPMNE ende nuk ka caktuar emrat e dy ministrave të qeverisë teknike...

VMRO-DPMNE ende nuk ka caktuar emrat e dy ministrave të qeverisë teknike dhe nuk e thonë se me cilën parti shqiptare do të kishin koalicionuar në zgjedhjet e parakohshme të prillit.
Nga partia e Mickovskit vazhdojnë akuzat ndaj kryeministrin Zaev se në takimin e liderëve në presidencë ka propozuar që zgjedhjet të mbahen më 27 dhjetor, e premte, pa formuar qeveri teknike sipas modelit të Përzhinës.
“Zoran Zaev pas zgjedhjeve të shpejta deshi të luajë me ligjin dhe të mos respektojë Marrëveshjen e Përzhinës, gjegjësisht të shkurtojë afatet e kësaj marrëveshje. Propozohej menjëherë të lëshohet kuvendi dhe të shkohet në zgjedhje, datën e parë pas 100 ditë qeveri teknike, por edhe këtë e refuzoi Zaevi. Arsyeja e vetme për zgjedhje pa qeveri teknike, gjegjësisht afate të shkurtuara, ishte që të vidhet vullneti i qytetarëve, njëjtë sikurse bënë në ciklet e kaluara zgjedhore, me parregullsi”,- tha zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Dimçe Arsovski.
Nga LSDM me kundër akuza se VMRO nuk deshi zgjedhje në dhjetor, pasi ekonomia është vendosur në rrugë të mbarë, ndërkaq pagat shënojnë rritje të vazhdueshme.
“Rritmi i tillë i rritjes së rrogave siguron kushte reale që deri në fund të 2020-ës rroga mesatare të jetë 30 mijë denarë, ndërkaq rroga minimale të jetë 16 mijë denarë. Bëhet e qartë se përse VMRO dhe Mickovski u ikën zgjedhjeve të shpejta në dhjetor. Vetëm VMRO dhe Mickovski ishin dhe ende janë kundër rritjes së pagës minimale dhe paratë të përfundojnë tek qytetarët. Në vend se në dhjetor, zgjedhjet do t’i humbin në prill”,- tha zëdhënësi i LSDM-së, Kostadin Kostadinov.
Emri i ministrit të brendshëm, Oliver Spasovskit, është më i përfolur në drejtimin e qeverisë teknike. Spasovski thotë se për këtë vendos kryeministri dhe organet e partisë.
“Kemi edhe shumë kohë, pasi që në politikë koha është çështje relative. Unë jam i fokusuar në prioritetet si ministër i brendshëm. Kush do të jenë personat e asaj qeverie teknike, për këtë vendos kryeministri dhe organet e partisë”,- theksoi ministri i brendshëm, Oliver Spasovski.
Në fushatë zgjedhore, koalicioni që do të kryesohet nga LSDM do të quhet “Në rrugë të drejtë”, ndërkaq emri i ri i koalicionit të kryesuar nga VMRO është “Koalicioni për Ripërtëritje të Maqedonisë”.
MERAL ISMAILI
