Rasti "Treqind", për herë të dytë 9 vjet burg për Popovskin

22.10.2019 18:15

Ish ndihmës ministri në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Gjoko Popovski...

Ish ndihmës ministri në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Gjoko Popovski, i angazhuar për furnizime publike, për herë të dytë është dënuar me 9 vite burg pranë Gjykatës Penale në Shkup, pasi që ajo e Apelit e kishte kthyer lëndën në rigjykim.

Trupi gjykues në krye me gjykatësen, Dobrilla Kacarska, gjykoi Popovskin për sigurimin e 300 automjeteve për nevojat e Ministrisë së Punëve të Brendshme, furnizim me të cilin ai ka dëmtuar shtetin në vlerë prej 450 mijë euro.

I akuzuari tani ka për obligim të kompensojë dëmin që i është bërë shtetit dhe të paguajë shpenzimet gjyqësore të procedurës. Sipas Kacarskës, Popovski ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për furnizime publike, me të cilin nuk është respektuar kriteri për ofertën më të mirë.

“I akuzuari, Gjoko Popovski, nuk ka mundur mos ta dijë se cilat janë ofertat më të favorshme. I ka favorizuar operatorët ekonomikë dhe ka kryer zgjedhjen e ofertave edhe pse të njëjtat nuk kanë qenë të vërtetuara si ekonomikisht më të favorshme. Ai është dashur të sillet si ndihmësministër dhe jo të lejojë që të shkaktohet dëm në përmasa të mëdha të shtetit. Është dashur të jetë i vetëdijshëm se në mënyrë joligjore të harxhohen të hollat e shtetit",- tha gjykatësja, Dobrilla Kacarska.

Kacarska tha se në tërësi janë plotësuar elementet e veprës penale “keqpërdorim të autorizimeve dhe pozitës zyrtare, kundër interesit shtetëror”. (Florije Beluli Kamberi, TVM2)