Maqedoni
Maqedonia e Veriut feston 23 tetorin - Ditën e Luftës Revolucionare Maqedonase
23.10.2019 14:44
Maqedonia e Veriut shënon sot 23 tetorin – Ditën e Luftës Revolucionare Maqedonase...

Me këtë rast, një delegacion qeveritar dhe një tjetër delegacion nga Kuvendi republikan vendosën kurora me lule para monumentit të Goce Delçevit. Në këtë ditë feste, presidenti, Stevo Pendarovski, në urimin e tij, përkujtoi se çdo gjeneratë përballet me sfida të reja.
“Sfida e politikanëve aktualë është ta bëjnë Republikën e Maqedonisë së Veriut shtet prosperues, të respektuar, demokratik dhe modern. Për këtë duhet tolerancë në marrëdhëniet mes nesh, respekt për të tjerët, përgjegjësi ndaj komunitetit, kujdes për ambientin jetësor dhe ndihmë ndaj të afërmve. Na duhet unitet pavarësisht përkatësisë etnike, fetare apo partiake. Nuk guxojmë të dekurajohemi nga çfarëdo pengesash, sepse ne e dimë rrugën tonë, e në këtë rrugë duhet të vazhdojmë të ecim bashkërisht”,- shkruan presidenti në urimin e tij.
Kryeparlamentari Xhaferi në urimin e tij drejtuar qytetarëve, përkujtoi se “Festa duhet të na kujtojë betejat e përditshme që bëjmë për ndërtimin e një shteti të fuqishëm dhe të suksesshëm, shtet i cili do t’u ofrojë të gjithëve jetë më të mirë dhe mundësi të barabarta”,- shkruan Xhaferi.
Edhe kryeministri, Zoran Zaev, në urimin e tij përkujtoi se 23 tetori është dita kur përkulemi dhe i nderojmë veprimtarët e guximshëm të Luftës Revolucionare Maqedonase. “Ne mësojmë nga historia - po ecim me forcë dhe guxim drejt së ardhmes. Me një frymë patriotike po ndërtojmë një shtet të njohur nga të gjithë, siç ishin edhe aspiratat e veprimtarëve të Luftës Revolucionare Maqedonase”,- shkruan Zaev në urimin e tij.
Kreu i VMRO-së, Hristian Mickoski, fuqishëm beson se rindërtimi do të vijë dhe Maqedonia do të ecë drejt progresit dhe sukseseve, në vend të, siç thotë, ecjes drejt dështimeve dhe kthimit mbrapa.
“Vetëm me punë, qëndrueshmëri dhe rindërtim mund të jemi të sigurt se Maqedonia do të ecë drejt progresit dhe sukseseve, në vend drejt dështimeve dhe kthimit mbrapa. Si kurrë më parë, fati i vendit tonë është në duart e popullit tonë, ndërsa unë fuqimisht besoj se rindërtimi do të vijë”,- ka shkruar mes tjerash në FB kreu i opozitës maqedonase.
Më 23 tetor të vitit 1893, në shtëpinë e Ivan Haxhi Nikollov, në Selanik, patriotët: Hristo Tatarçev, Dame Gruev, Petar Pop Arsov, Anton Dimitrov dhe Hristo Botanxhiev formuan Komitetin Maqedonas Revolucionar, nga i cili më vonë doli Organizata e Brendshme Revolucionare Maqedonase. Kështu filloi Lëvizja e organizuar Revolucionare Maqedonase, e cila përmes Ilindenit të vitit 1903 dhe Republikës së Krushevës, përmes LNÇ-së, rezultoi me krijimin e shtetit të pavarur të Maqedonisë, sot Republika e Maqedonisë së Veriut.
GAZMEND KURTISHI
