Vendimi i Këshillit të BE-së, Zaharieva: Mosfillimi i negociatave, gabim historik
Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e jashtme e Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva...

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e jashtme e Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva, e ka cilësuar si gabim historik vendimin për stopimin e bisedimeve paraqasëse të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Europian.
Bullgaria tha një “po” të fuqishme për fillimin e bisedimeve, sepse Maqedonia e Veriut e meriton çeljen e negociatave për anëtarësim, ka deklaruar Zaharieva, siç përcjellin mediat bullgare, duke u shprehur e sigurt ndërkohë, se askush nuk ka përse të shqetësohet, sepse askush nuk e ka ndërmend të vjedhë historinë bullgare.
Eurointegrimi i RMV-së dhe Shqipërisë, Mitsotakis pro integrimit të Ballkanit Perëndimor
Edhe kryeministri i Greqisë, Kirjakos Mitsotakis, ka rikonfirmuar pozicionin e vendit të tij në mbështetje të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, në rrugën e tyre evropiane. Mbrëmjen e së martës, gjatë fjalimit zyrtar në Selanik, kryeministri grek ka theksuar sërish se “Greqia është pro integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE, jo vetëm sepse kështu transformohemi në faktor stabiliteti në rajon, por edhe për faktin se integrimi përbën vegël demokratike shtysë për modernizimin e domosdoshëm të fqinjëve dhe zgjidhjen e çështjeve bilaterale”.
Mitsotakis ka përsëritur megjithatë qëndrimin e partisë së tij kundër Marrëveshjes së Prespës, por ka theksuar se pala greke tashmë e respekton plotësisht dhe nuk dëshirojnë peripeci të tjera për Greqinë.
Sa i përket Shqipërisë, kryeministri grek thotë se ashtu si me të gjithë, edhe me Shqipërinë, Greqia dëshiron marrëdhënie të fqinjësisë së mirë. Por, kusht për progres të përbashkët, për të çelur në moment rrugën europiane për Shqipërinë, është respektimi i minoritetit grek dhe të drejtave të tyre. (Rexhep Qamili, TVM2)
