Kosovë, zyrtarët me maska gjatë verifikimit të zarfeve me fletëvotimet nga Serbia
Për herë të parë pas 10 ditëve, në Kosovë u hapën dyert e hapësirës...

Për herë të parë pas 10 ditëve, në Kosovë u hapën dyert e hapësirës ku ishin vendosur zarfet me fletëvotimet e ardhura nga Serbia. Një pamje e pazakontë u xhirua brenda hapësirave, ku zyrtarët e verifikimit të fletëvotimeve u panë të veshur me rroba sigurie, doreza dhe maska.
Mbyllja e kësaj hapësire që gjendet brenda ambientit të Ministrisë së Infrastrukturës u bë më 13 tetor, kur tek zyrtarët që po verifikonin zarfet e ardhura nga Serbia iu paraqit një alergji në lëkurë që çoi në hospitalizim të më shumë se 20 personave. Zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe ekspertë të forenzikës kanë hapur më në fund dyert e sallës dhe kanë filluar me shqyrtimin dhe vlerësimin e zarfeve të supozuara me fletëvotime që kanë ardhur nga Serbia, që, sipas tyre, është i domosdoshëm për të identifikuar personin që e ka dërguar pakon. Prokuroria ka dërguar jashtë Kosovës për verifikim mostrat e zarfeve të ardhura nga Serbia.
“Kemi filluar me shqyrtimin dhe vlerësimin e zarfeve të supozuara me fletëvotime që kanë ardhur nga Serbia. Ky vlerësim është i domosdoshëm, pasi ka për qëllim të identifikojë një fletëvotim me personin që e ka dërguar pakon. Pra, që ta dimë nëse fletëvotimi i dërguar është nga një votues i regjistruar suksesshëm si votues jashtë vendit. Pasi të bëhet ky vlerësim, do ta dimë saktë se sa është numri i fletëvotimeve të aprovuara apo të refuzuara. Vetëm fletëvotimet e aprovuara numërohen. Për këtë proces ne jemi në kontakt dhe bashkëpunim me institucionet tjera. Kemi edhe mbështetjen e Policisë së Kosovës lidhur me këtë. Pra, edhe në pajisje logjistike”,- tha zëdhënësi i KQZ-së i Republikës së Kosovës, Valmir Elezi.
