Maqedoni
Zgjedhjet e parakohshme, Ahmeti: Do të garojmë vetëm, prioritet eurointegrimet
23.10.2019 15:39
BDI në zgjedhjet e 12 prillit do të garojë e vetme....

Lideri i partisë, Ali Ahmeti, në “Argument” në TVM2, tha se partia që drejton është reformuar në tërësi brenda radhëve, e kjo është garanci për sukses në këto zgjedhje të cilat Ahmeti nuk i cilëson si vendim i përshpejtuar i kryeministrit. Prioritet i BDI-së mbeten eurointegrimet.
“Nuk mendoj që është vendim i përshpejtuar. Pas këtij momenti që ndodhi, vjen një moment shumë i mirë për ne, ne po anëtarësohemi në NATO. Unë ia thashë edhe Zoran Zaevit, nëse t’i jep dorëheqje, unë atë marrëveshje e kam bërë me ty dhe nuk e kam bërë me të tjerët, atëherë vihet në pikëpyetje partneriteti i BDI-së me LSDM-në. Nuk do t’i shërbente as LSDM-së as BDI-së një koalicion parazgjedhor. Ne kemi dallime programore akoma në vija kombëtare”,- tha kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Koalicionimi me partitë shqiptare, Ahmeti: Opozita të bashkohet, të mos humbim vota
Sa i përket ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, kreu i integristëve thotë se deri në zgjedhje nuk ka hapësirë kohore për ndryshimet, por mund të flitet për mundësinë e instalimit të listave të hapura. Ahmeti ftoi partitë e tjera shqiptare të bashkohen në një front opozitar përballë BDI-së, për mos t’u shpërndarë vota dhe humbur mandate deputetësh.
“Mirë është opozita, le të bashkohen, nuk arrijnë të bashkohen të gjithë bashkë, le të bëhen dy nga dy, sepse dhjetë mandate i humbëm në zgjedhjet e fundit, nuk humbi BDI, BDI fitoi zgjedhjet, humbën shqiptarët dhjetë mandate”,- u shpreh kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Integrimi në BE, Ahmeti: Të vazhdojmë detyrat drejt negociatave
BDI, sipas Ahmetit, është e bindur se edhe përkundër refuzimit të Francës, vendi nuk ka alternativë tjetër përpos BE-së.
“Ne do të vazhdojmë me punët tona drejt hapjes së negociatave dhe përshpejtimit. Në qoftë se ne punojmë mirë e drejtë, këtu do të flasim prapë, brenda pesë vitesh RMV është anëtare e plotë në BE”,- u shpreh kryetari i BDI-SË, Ali Ahmeti.
Sipas Ahmetit, Franca mbetet e përkushtuar edhe pse kërkon metodologji dhe zbatim kapitull për kapitull, por kjo sipas tij duhet të jetë shtysë për të zbatuar si duhet detyrat e shtëpisë dhe procesin reformues.
MERAL ISMAILI
