Zaev: Intensifikojmë reformat para qeverisë teknike
Veç përcaktimit për formimin e një qeverie teknike.....

Veç përcaktimit për formimin e një qeverie teknike, 100 ditë para ditës së zgjedhjeve, kjo çështje nuk është vënë në diskutim as në tryezën qeveritare dhe as në LSDM.
Kryeministri, njëkohësisht kryetar i LSDM-së, Zoran Zaev, thotë se qeveria mbetet e përkushtuar që, në këtë pjesë të mandatit, të intensifikojë zbatimin e reformave për të reduktuar mundësitë qeverisë teknike që të frenojë ato.
“Sipas të gjitha gjasave, unë jam më i zëshmi që kam kërkuar qeveri teknike që të garantojmë që qytetarët të jenë të sigurtë se do të dalin të votojnë, ashtu siç kanë vendosur, pa presione. Kjo është shumë me rëndësi që ta sigurojmë. Është minimumi që duhet të garantojë çdo shtet, por edhe ne. Në këto dy muaj e tetë ditë që kemi, deri në formimin e qeverisë teknike, shohim se si t’i shfrytëzojmë maksimum që qeveria teknike të mos i frenojë proceset për këto gjëra të bukura që po na ndodhin në shtet, që dëmi në ekonomi të jetë sa më i vogël”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
Për kryeministrin teknik do të vendoset në dhjetor
Zaev nuk përjashtoi zërat se ministri i brendshëm, Oliver Spasovski, mund të jetë kandidati favorit i LSDM-së, për të drejtuar qeverinë teknike, por nuk përjashtoi mundësinë që ta tërheq në partitë për nevoja elektorale.
“Unë do ta kisha tërhequr Oliver Spasovskin në parti, te unë, së bashku me Ljubço Nukollovskin, që të udhëheqim fushatën. Ka qenë sekretar i partisë, ka përvojë, por njëkohësisht duhet të jemi të kujdesshëm edhe për çështjet shtetërore, me ekipet e para të përgjegjësisë. Për këtë arsye nuk kemi ndonjë arsye që të shpejtohemi. Deri në fund të dhjetorit do të marrim vendim, se kush do të jetë kryeministër teknik dhe kush do të jenë zëvendësministra në MPB dhe në Ministrinë për Punë Sociale”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
Kryeministri, Zoran Zaev, përjashtoi zërat se në takimin e liderëve është diskutuar edhe mundësia për pezullim të mundshëm të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, nëse ngec procesi i anëtarësimit në NATO. Sipas tij, kjo çështje pritet të mbyllet, më së voni, deri në shkurt të vitit 2020. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
