Ikja e të rinjve nga vendi, Bekteshi: Duhen përkrahur shkollat profesionale
Vendi ka probleme me ikjen jashtë të të rinjve....

Vendi ka probleme me ikjen jashtë të të rinjve. Megjithatë, ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, për emisionin “Biznes Plus”, që emetohet të enjten në TVM2, thotë se ikja e punëtorëve për shkak të pagave të ulëta ndodh edhe në vende të tjera të botës, e është e pritshme në një vend me standard të ulët jetësor.
Sipas tij, gjatë mandatit të qeverisë aktuale është ulur numri i papunësisë, por problem mbetet mospërputhja e arsimimit me nevojat e tregut të punës.
“Është e domosdoshme që Maqedonia e Veriut të mendojë për sistemin dual arsimor. Është koha që nga viti i ardhshëm ne të vendosim që edhe në arsimin e mesëm të fillojmë t’u japim përkrahje më shumë shkollave profesionale”,- tha ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Rritja e pagës minimale, Bekteshi: Fillon nga dhjetori, siç premtuam
Rritja e pagës minimale si masë e qeverisë do të fillojë nga një dhjetori dhe me këtë masë pritet që të motivohen më shumë punëtorët në sektorin privat. Pavarësisht caktimit të datës për zgjedhje të parakohshme parlamentare, Qeveria do të jetë e fokusuar në realizim të projekteve, tha ministri Bekteshi.
“Të gjithë parametrat ekonomikë na japin mundësi që të kemi rritje të pagës minimale që do të fillojë nga dhjetori në vlerë prej 14.500 den. dhe është me rëndësi të theksohet se në afat prej 2 vite e gjysmë kemi rritur pagën minimale për 5 mijë denarë”,- u shpreh ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Bekteshi thotë se Qeveria ka vendosur për shkurtimin e mjeteve të investimeve kapitale me arsye që ato para të dedikohen për kapitalin njerëzor, me qëllim për të ndihmuar dhe sektorin privat dhe për të luftuar ekonominë gri dhe se jetëgjatësia e kësaj mase do të jetë 3 vjeçare. (Gazmend Rexhepi, TVM2)
