Maqedoni

Hapet Panairi i librit në Tetovë, i ulët interesimi i botuesve dhe lexuesve

23.10.2019 18:46

Problemet e shumta që kanë me financat nuk i ndaloi botuesit që të organizojnë për të 19 herë Panairin e librit në qytetin e dy universiteteve në Tetovë....

Përkrahja e institucioneve thuajse nuk ekziston. Edhe interesimi i shtëpive botuese është shumë më i vogël se vitet e kaluara. Sipas kryetarit të SHBSH-së, Abdylmexhit Saliut, përkrahja iu mungon. Sipas tij, dikush ekzistencën e siguron pikërisht nga shitjet e librave.
 
“Përballemi me shumë probleme, siç ceka më herët, vështirësitë financiare, kjo është numër një, pastaj problemet nëpër kufi për të ardhur deri këtu. Normal se përkrahja duhet, dikush varet nga libri dhe duhet t`i ndihmohet”,- tha kryetari i ShBSh-së, Abdylmexhit Saliu.
 
Vizitorët e panairit shprehen se mungon kultura e leximit, por, sipas tyre, edhe mundësitë ekonomike shpeshherë u pamundësojnë blerjen e librave.
 
“Realisht është dobët blerja dhe leximi. Para së gjithash është mungesë e kulturës, po pastaj mund të thirremi se bëhet fjalë edhe për çështjen ekonomike”,- u shpreh një vizitor.
 
“Nëse marrim parasysh se sa janë mundësitë reale që tetovarët të blejnë libra apo ta vizitojnë panairin, është një pikë e dhimbshme, ngase të lexosh sot një libër duhet të kesh standard të lartë. Në bazë të standardit që e kemi, të blesh një libër kushton shumë për rrogat që kemi”,- theksoi një vizitor.
 
Panairin e librit në Tetovë qytetarët mund ta vizitojnë deri më 27 tetor.
 
VISARI SADIKI