ShBA-të ratifikuan Protokollin, Pendarovski: Partneritetin e vazhdojmë në NATO

23.10.2019 18:54

Presidenti, Stevo Pendarovski, i ka dërguar letër falënderuese Senatit të ShBA-së....

Presidenti, Stevo Pendarovski, i ka dërguar letër falënderuese Senatit të ShBA-së për ratifikimin e Protokollit mbi anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO. “Falënderojmë Shtetet e Bashkuara të Amerikës që ratifikuan në Senat Protokollin mbi anëtarësimin tonë në NATO. Partneriteti strategjik mes ShBA-së dhe Maqedonisë së Veriut  vazhdon në Aleancë dhe i njëjti i kontribuon stabilitetit dhe sigurisë globale”,- shkruan në letrën falënderuese presidenti Pendarovski, i cili ka respektuar të dy gjuhët zyrtare, duke shkruar falënderimin edhe në shqip, përveçse në anglisht e maqedonisht.

Mbrëmë, në Senatin amerikan, pro ratifikimit të Protokollit për aderimin e RMV-së në NATO votuan 91 senatorë, vetëm dy senatorë, një nga Kentaki dhe një nga Utah, votuan kundër. Protokolli ishte dërguar në senat nga presidenti, Donald Trump, më 30 prill, pak kohë pasi dokumenti u nënshkrua nga të gjitha vendet anëtare në NATO-s në Bruksel.

Procesi po vazhdon në kryeqytetet e vendeve anëtare që duhet të ratifikojnë protokollin sipas procedurave të tyre. Aktualisht, 25 nga 29 vendet anëtare të NATO-s e kanë ratifikuar protokollin dhe Maqedonia e Veriut shpreson që shumë shpejt të ulet me të drejta të plota në tryezën e Aleancës Veriatlantike, si anëtarja e 30 e saj.