Botë

Palmer: Koha nuk është në anën e Kosovës, hiqeni taksën

24.10.2019 10:52

I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin, Matthew Palmer, tha se Kosova duhet të formojë qeverinë e re sa më shpejt...

I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin, Matthew Palmer, tha se Kosova duhet të formojë qeverinë e re sa më shpejt dhe të kthehet në tryezën e bisedimeve me Serbinë, sepse "koha nuk është në anën e saj".
 
Palmer foli para Komitetit të Jashtëm të Senatit, në një seancë kushtuar rajonit të Ballkanit.
 
Ai tha se Shtetet e Bashkuara e inkurajojnë edhe Kosovën, edhe Serbinë që të bëjnë lëshime, për të arritur një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve.
 
Palmer i bëri thirrje Kosovës që të anulojë taksën e vendosur ndaj prodhimeve të importuara nga Serbia, vitin e kaluar, e cila edhe është bërë shkak për ndërprerjen e bisedimeve.
 
Nga Serbia, ai kërkoi që të heqë dorë nga "fushata për të delegjitimuar Kosovën në komunitetin ndërkombëtar".
 
Në muajin gusht, Departamenti amerikan i Shtetit e ka emëruar Palmerin përfaqësues të posaçëm për Ballkanin Perëndimor, me mandat për të ndihmuar integrimin e rajonit në institucionet perëndimore.
 
Në fillim të këtij muaji, ndërkaq, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka emëruar Richard Grenellin të dërguar të posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi.
 
Grenell është edhe ambasador në Gjermani./evropaelire