Maqedoni
Sh. F. “25 maji”, drejtori Murtezani rikthehet si u. d., Georgievski: Murtezani i plotëson kushtet për u. d.
24.10.2019 15:08

Pas presionit të prindërve dhe nxënësve të Shkollës fillore “25 maji” në Hasanbeg, ushtruesja e detyrës së drejtorit të shkollës së emëruar nga kreu i Gazi Babës, Boris Georgievski, u detyrua të dorëhiqet, duke i lënë vendin drejtorit të deritanishëm, Fadil Murtezani, i cili tani për tani do të jetë ushtrues i detyrës së drejtorit deri në shpalljen e konkursit për drejtor të ri me mandate katërvjeçar. Këtë e konfirmuan vetë Murtezani dhe kreu i komunë së Gazi Babës, Boris Georgievski, të cilët këtë problem e kanë diskutuar një ditë më parë edhe me ministrin e Arsimit, Arbër Ademi.
“Me vendimin e ri jam ushtrues detyre, brenda pesë ditëve hapet konkursi dhe konkurroj, e marr mandatin për katër vite dhe bashkërisht me bashkëfshatarët e mi. Ky vendim ka ardhur për shkak se u. d. ja që ishte emëruar, nuk i plotëson kushtet dhe ishte premtimi që unë do vazhdoj si drejtor i shkollës”,- tha u. d. drejtor në SH. F. “25 maji”, Fadil Murtezani.
“Përfundimisht më datën 21 i kishte përfunduar mandati Fadil Murtezanit si drejtor. Kishim dy persona që i plotësonin kushtet, që të mund të ishin u.d. drejtor. Për shkak se ushtruesja e detyrës që e emëruam ka dhënë dorëheqje, Fadil Murtezani i plotëson kushtet dhe e emëruam për ushtrues detyre drejtor në gjashtë muajt e ardhshëm”,- tha kryetari i komunës së Gazi Babës, Boris Georgievski.
MASh mbështet drejtorët që janë menaxherë të mirë si Murtezani, theksoi numri një i këtij dikasteri, Arbër Ademi, i cili ndërmjetësoi në zgjidhjen e problemit.
“Ai keqkuptim eventual është tejkaluar në mënyrën më të mirë të mundshme dhe më vjen mirë që keqkuptimet e tilla të tejkalohen në këtë mënyrë, edhe pse do të dëshiroja fare të mos vijë deri te situata që do krijonte keqkuptime”,- tha ministri i Arsimit, Arbër Ademi.
Banorët e Hasanbegut: Murtezani, drejtor që e meriton postin
Banorët e Hasanbegut mirëpritën kthimin e Murtezanit në postin e drejtorit, pasi ata vlerësojnë suksesin e dëshmuar nga ana e tij.
“Ka punuar njeriu, kjo shkollë ka qenë si shtallë e tani është si barnatore”,- u shpreh një banor.
“Për të gjithë fëmijët nga fshatrat përreth drejtori ka siguruar transport, nëse fëmija mungon vetëm 2 ditë, drejtori informon prindin, jemi shumë të kënaqur nga puna e tij”,- tha një banor.
“Shkolla fillore “25 maji” është ndër shkollat më të mira në Maqedoni. Ne kemi bashkëpunim edhe me shkollat tjera dhe me shtetet fqinje dhe po ashtu kemi edhe laboratorë në shkollë”,- theksoi një banor.
Kreu i Gazi Babës, Georgievski, thotë se brenda gjashtë ditësh do të shpallet konkursi për zgjedhjen e drejtorit me mandat të plotë, duke i respektuar procedurat ligjore, ku parashihet edhe pjesëmarrja e Këshillit të shkollës.
FLUTURA LATIFI
