Maqedoni
Nepotizëm dhe korrupsion gjatë punësimit, Taseva: Sistemi jep hapësirë për keqpërdorim
24.10.2019 15:33
Rreth 46 pika kritike janë konstatuar vetëm në disa ligje të cilat mundësojnë keqpërdorim gjatë procedurave të punësimit...

Rreth 46 pika kritike janë konstatuar vetëm në disa ligje të cilat mundësojnë keqpërdorim gjatë procedurave të punësimit, njoftoi Sllagjana Taseva nga “Transparency International” gjatë prezantimit të projektit "Vlerësimi i prekshmërisë së korrupsionit në politikat dhe procedurat e punësimit, me fokus të veçantë në nepotizëm dhe klientelizëm".
“Nga analiza që u kemi bërë ligjeve kemi vërtetuar 46 pika të ndjeshme që ndodhen në ligje. Këto pika duhet të korrigjohen nga ana e institucioneve, kuvendit dhe qeverisë. Në pjesën e dytë kemi bërë analizën edhe të akteve nënligjore me të cilat implementohen këto ligje dhe kemi vërejtur një situatë të rrezikshme nga korrupsioni, pasi që ekziston situatë kur një rregullore për sistematizim është ndryshuar 40 herë për 5 vite dhe aty ka ndryshuar vetëm fjala për nevojat e kualifikimit, përkatësisht arsimimi”,- tha Sllagjana Taseva nga “Transparency International”.
Ky dokument vetëm se ka vërtetuar mangësitë e njohura në procesin e punësimeve, gjë që e kemi hasur në të gjitha lëndët që kemi pranuar që nga fillimi ynë me punë, tha anëtarja e Anti-korrupsionit, Sofka Pejovska Dojçinovska.
“Numri i kufizuar i ndryshimeve të sistematizimit, eliminimi i tërësishëm i punësimeve nëpërmjet agjencive private, punësimet e përkohshme, të gjitha këto janë zbrazëtirat të cilat në përmasa të mëdha janë shfrytëzuar gjatë viteve të kaluara. Prandaj them se e gjithë kjo vetëm se e vërteton atë që ne po e punojmë në komision”,- tha anëtarja e Anti-korrupsionit, Sofka Pejovska Dojçinovska.
Ndërkohë, ambasadori i Mbretërisë holandeze në vend, Dirk Jan Kop, tha se Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit filloi me sukses punën e tij. "Transparenca e vërtetë zvogëlon korrupsionin dhe në të njëjtën kohë rikthen besimin e qytetarëve",- tha Jan Kop.
NAIM RAMADANI
