Maqedoni
Kumanovë, përurohet Salla e sporteve në Çerkez
24.10.2019 16:28
Në kuadër të projektit të Ministrisë për Arsim dhe Shkencë “145 salla sportive”, në fshatin Çerkez të Kumanovës....

Në kuadër të projektit të Ministrisë për Arsim dhe Shkencë “145 salla sportive”, në fshatin Çerkez të Kumanovës, në një sipërfaqe prej 650 m2, u përurua Salla e sporteve pranë Shkollës fillore “Jeronim De Rada”. Ndërtimi i këtij objekti sportiv kapital arrin shumën prej 24 milionë denarëve, mjete këto të siguruara nga Buxheti i Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe kredia nga Banka për Zhvillim e Këshillit të Evropës.
“Investimet e bëra deri më tani kapin vlerën deri në 30 milion denarë gjatë këtyre 2 viteve në përmirësimin e kushteve, ndërtimin e sallës sportive, ndërrimin e çatisë së shkollës dhe projekte tjera në vazhdim, siç është izolimi dhe fasadimi i objektit shkollor, me ndihmën e gjithë ju shkolla jonë mori pamjen e një shkolle bashkëkohore”,- theksoi drejtor i Sh. F. “Jeronim De Rada” – Çerkez, Hakik Jahiu.
“Në kuadër të këtij kabineti qeveritar je duke bërë punë të mira në përmirësimin e cilësisë në arsim, duke bërë reforma thelbësore, duke sjellë ligje moderne të cilat u japin mundësi nxënësve tanë të jenë kompetitiv në tregun global, jemi duke përmirësuar kushtet infrastrukturore në Kumanovë e Likovë, e çdokund tjetër, sepse vetëm kështu hapërojmë përpara”,- tha ministri i Arsimit, Arbër Ademi.
“Pjesëmarrja e komunës në këtë projekt mbase është modest, por për ne i rëndësishëm, sepse ne në Kumanovë i përmirësuam kushtet e punës ku mësojnë fëmijët tanë”,- theksoi kreu i komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski.
“Ky është prioritet i duhur për njerëzit e kësaj zone, por edhe ata kudoqofshin, vende këto ku fëmijët do të rriten në kushte për shëndetin psiko-fizik dhe do të mundësohet zhvillim i duhur i tyre që në moshën rinore dhe prandaj kujtoj se projekte të këtilla arsyetojnë punën tonë në politikë”,- u shpreh zëvendëskryeministri në Qeverinë e RVM-së, Bujar Osmani.
Salla e sporteve në këtë shkollë të fshatit Çerkez është e një rëndësie të madhe jo vetëm për mbajtjen e orëve të edukatës fizike, por edhe për zhvillimin e disiplinave të ndryshme sportive.
FATLUM AQIFI
