Botë
Raporti i Institutit të Lozanës, dyshime për rrethanat e vdekjes së Astrit Deharit
24.10.2019 16:44
Raporti nga ekspertiza e Institutit zviceran thotë se për rastin e Astrit Deharit ka dyshime lidhur me rrethanat e vdekjes....

Raporti nga ekspertiza e Institutit zviceran thotë se për rastin e Astrit Deharit ka dyshime lidhur me rrethanat e vdekjes dhe se duhet pasur parasysh intervenimin e një personi të tretë. Prokuroria Themelore në Prizren bën të ditur se e ka pranuar raportin në të cilin rekomandohet një hetim i ri me një super-ekspertizë në bashkëpunim me Institutin e Mjekësisë Ligjore në Lozanë dhe Institutin e Mjekësisë Ligjore në Kosovë.
Familja Dehari dhe avokati: U vërtetua se Astriti është vrarë
Raportin e ka pranuar edhe familja e Astrit Deharit. Babi i Astrit, Avni Dehari, dhe avokati, Tom Gashi, theksuan se raporti konstaton vrasjen e Astritit, për çka kërkojnë përgjegjësi nga institucionet.
“Sipas konkluzioneve që kemi kërkuar t’i lexojnë, bëhet fjalë për vrasje e jo për vetëvrasje. Sipas ekspertizës në Lozanë, bëhet fjalë për vrasje e jo për vetëvrasje dhe sipas kësaj duhet të hapen hetime për vrasjen e Astrit Deharit në nëntor të vitit 2016 në burgun e Prizrenit. Në rastin e Astrit që e kanë vrarë në burgun e Prizrenit, përgjegjës përpos prokurorit Sylë Hoxha dhe ministres së atëhershme të drejtësisë, Dhurata Hoxha, janë edhe argatët e tyre në rastin konkret Baton Haxhiu me Klan Kosovën, kryetari i Këshillit për të drejtat e njeriut Bexhet Shala dhe Vebi Kajtazi i Isnajderit”,- tha babai i Astrit Deharit, Avni Dehari.
“Konstatimi i parë deklaron se është e pabesueshme që Astrit Dehari ka kryer vetëvrasje siç kanë dashur ta mbyllin dhe në pasusin e fundit të institutit zviceran, i cili kërkon hetime të pavarura për të ardhur te prova tjera që edhe atyre u mungojnë”,- u shpreh avokati, Tomë Gashi.
Drejtësi për Astritin kërkojnë edhe nëna dhe bashkëshortja e tij.
“E kemi ditur rastin se Astritin e kanë vrarë, por juridikisht nuk ka qenë e mbyllur, edhe pse janë lavdëruar se brenda 15 ditësh do ta përmbyllin para tri viteve, por u bënë tri vjet ne na kanë zier në kazan si familje”,- u shpreh nëna e Astrit Deharit, Xhemile Dehari.
“Besoj se tash drejtësia duhet të merret me këtë punë dhe besoj se drejtësia do të vijë në vend. Sido që të jetë, nuk ia patëm borxh askujt këtë dhimbje”,- tha bashkëshortja e Astrit Deharit, Arta Dehari.
Pas publikimit të raportit ka reaguar edhe Lëvizja Vetëvendosje nga e cila kanë theksuar se Astrit Dehari është vrarë për shkak se ka qenë aktivist i saj. Prokuroria e ka obligim ligjor dhe njerëzor që t'i fillojë hetimet për rastin, në mënyrë që përgjegjësitë e këtij krimi monstruoz, që e privoi aktivistin 26 vjeçar, Astrit Deharin, nga jeta, të vihen të gjithë para drejtësisë, theksojnë mes tjerash nga Vetëvendosje.
GYLTENE SINANI
