Maqedoni
Zaev: I besoj Ahmetit, koalicioni bazohet në program
24.10.2019 17:23
Kryeministri, Zoran Zaev, thotë se i beson partnerit të koalicion, BDI-së....

Kryeministri, Zoran Zaev, thotë se i beson partnerit të koalicion, BDI-së, dhe kreut të saj, Ali Ahmetit. Sipas tij, koalicioni LSDM-BDI është formuar duke u bazuar në program dhe derisa i njëjti respektohet nga të dyja palët, bashkëpunimi do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Një nga vlerat themelore të koalicionit, Zaev tha se është krijimi i një shoqëri për të gjithë.
“Me BDI-në përmes z.Ahmetit, kemi formuar koalicion të bazuar në program dhe derisa e respektojmë atë program dhe vlerat që dalin nga ai program, besimi ekziston dhe do të mbetet dhe nuk ka dilema, po i besoj z.Ahmetit dhe përpjekjeve të tij personale për të implementuar programin dhe të jemi bashkë në shërbim të qytetarëve. Vlerat themelore të koalicionit tonë kanë qenë të potencuara në program, e ato janë sundimi i së drejtës, garantimi i të drejtave dhe barazia e qytetarëve përmes konceptit “një shoqëri për të gjithë”, përpjekjet e qeverisë përmes një sërë masash që standardi ekonomik për qytetarët tanë të përmirësohet dhe derisa qëndrojmë në këtë drejtim, duhet të vazhdojë bashkëpunimi”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
Zaev: Është bërë mjaft, na duhet kohë
Sipas Zaevit, besimi i ndërsjellë do të vazhdojë derisa qytetarët ua besojnë mandatin, ndërsa u shpreh se për realizimin e reformave është e nevojshme akoma kohë.
“Ashtu siç u duhet kohë rezultateve ekonomike, ju jeni dëshmitarë se edhe për drejtësinë duhet kohë. Por, duke njohur sistemin tonë, sjelljet tona si qytetarë, përgjegjësinë që bartim të gjithë veçanërisht kur bëhet fjalë për ne si persona, mund të konkludoj se është mjaftueshëm e gjithë ajo që është arritur”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
Në sundimin e së drejtës, nga 17 lëndë ku akuzohen politikanë, Zaev u shpreh optimist se do të përfundojnë me sukses.
ZEKIRJA MEXHITI
