Maqedoni

Tetovë, prezantohen masat e qeverisë për vetëpunësim

24.10.2019 17:35

Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Milla Carovska, së bashku me drejtoreshën e Agjencisë për Punësim....

Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Milla Carovska, së bashku me drejtoreshën e Agjencisë për Punësim, Biljana Jovanoskën, dhe përfaqësuesen e  UNDP-së, Narine Sahakjan, u takuan në Qendrën për Punësim në Tetovë me personat të cilët janë zgjedhur për shfrytëzimin e grandeve për vetëpunësim nga Plani Operativ 2019. Carovska theksoi se në Tetovë do të hapen mbi 80 biznese, të cilat do të ndikojnë në zbutjen e papunësisë.
 
“Tetova ka treguar interesim të madh në aplikimin për vetëpunësim dhe në përgjithësi për të gjitha masat e tjera. Pa marrë parasysh se këta persona aplikojnë personalisht ose janë të shoqëruar, do të marrin 5 mijë euro për individ, si mjete të pakthyeshme. Pres që këto masa të kontribuojnë për zvogëlimin e papunësisë në vend, këta persona përveç se do të punësohen dhe do të bëhen themelues të një kompanie të caktuar, në të ardhmen do të mund të zhvillohen dhe të punësojnë të rinj, por edhe persona të tjerë të papunësuar në komunën e Tetovës”,- tha ministrja për Punë dhe Politikë Sociale, Mila Carovska.
 
Drejtoresha e Agjencisë për Punësim, Biljana Jovanovska, bën të ditur se vetëm në Tetovë janë nënshkruar mbi 750 kontrata për shfrytëzimin e masave të kësaj agjencie.
 
“Agjencia e Punësimit vazhdon të mbështesë qytetarët dhe të papunët, si dhe ata të cilët janë shfrytëzues të këtyre masave, por po ashtu edhe ata të cilët në të ardhmen do të aplikojnë për t’i shfrytëzuar, sepse qëllimi ynë nuk është vetëm të themelohet një biznes, por përkundrazi, t’i mundësojmë personit të punësuar të mbijetojë, që në të ardhmen të mund t’i shfrytëzojë masat dhe politikat e reja të punësimit”,- tha drejtoresha në Agjencinë për Punësim, Biljana Jovanovska.
 
Këto masa të qeverisë do të ndikojnë dukshëm në uljen e migrimit, thotë përfaqësuesja e UNDP-së, Narine Sahakjan. 
 
“Ne mbështesim masat e qeverisë për vite me radhë në implementimin dhe promovimin e këtyre programeve. Është një nga programet më të mira të vendosura në fushën e vetëpunësimit, për të ndalur largimin e personave të arsimuar nga vendi”,- u shpreh përfaqësuesja e UNDP-së, Narine Sahakjan.
 
Vitin e fundit për masën e vetëpunësimit dhe krijimin e bizneseve të reja janë ndarë 8 milionë euro.
 
VISAR SADIKI