Maqedoni
Zaev dëshmitarë në rastin "Target dhe Fortesa"
24.10.2019 17:48
Në cilësinë e dëshmitarit kryeministri, Zoran Zaev, ka dëshmuar në seancën gjyqësore....

Në cilësinë e dëshmitarit kryeministri, Zoran Zaev, ka dëshmuar në seancën gjyqësore për rastin "Target dhe Fortesa", që ka të bëjë me përgjimet masive joligjore. Për atë se ekzistojnë përgjime të paligjshme, Zaev tha se është informuar nga kryetari i Komisionit për Siguri pranë LSDM-së, Zoran Verushki. Zaev tha se ka qenë njëri nga më të përgjuarit, ndërsa vërtetoi autenticitetin e bisedave dhe SMS porosive të tij.
Në dalje nga Gjykata, kryeministri deklaroi se Nikolla Gruevski ka qenë konsumatori kryesor i përgjimeve, ndërsa këtu bën pjesë edhe MBP dhe Sasho Mijallkov, që ka qenë në krye të DSK-së. Duke aluduar në ish kryeministrin Gruevski, Zaev thotë se politikani i ndershëm është dashur të ndërpresë dhe paraqesë këtë situatë dhe jo të përgjojë, përveç oponentit politik, edhe gazetarë, ekspertë, biseda private, organizata joqeveritare, bashkësi fetare etj.
“Edhe fëmijëve i është e qartë si dita se kush ka përgjuar, kush është përgjegjës për ndjekjen e përgjimeve joligjore dhe se të gjithë vetëm se presin të caktohet dënimi. Nuk ka dilema, ajo është dëshmuar jo vetëm me deklaratën time dhe të tjerëve, atë e kanë vërtetuar edhe ekspertizat. Në procese tjera askush nuk kontestoi autenticitetin e bisedave. Është e qartë se konsulent ka qenë Nikolla Gruevski, sepse atë e pashë nga analizat, por gjithsesi se edhe ministri përgjegjës i MPB-së, drejtori i DSK-së dhe ata dy që janë në arrati, Grujovski dhe Nikolla Boshkovski, dhe të tjerët për të cilët ekzistojnë dëshmi”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
Gruevski konsumatori kryesor i përgjimeve
Herëdokur, përgjegjësi për veprat e bëra duhet të bartet, thotë kryeministri Zaev, duke u përgjigjur në pyetjet se pas shumë lëndëve të ngritura kundër ish funksionarëve të pushtetit dhe gjykimeve të shumta, të paktë janë ata që mbajnë dënimet.
“Ashtu siç ngadalë duhet kohë për rezultatet ekonomike, edhe ju jeni dëshmitarë se edhe për drejtësinë duhet kohë. Por, duke e ditur sistemin tonë dhe vendosjen tonë dhe përgjegjësinë të cilën të gjithë e bartim, mund të them se është mirë edhe ajo që deri më tani është arritur. Ka aktvendim për zotëri Çavkovin dhe tjerë funksionarë bartës të pushtetit për ngjarjet e 27 prillit, e dënuar me vendim të plotfuqishëm është Gordana Jankullovska dhe shpresoj të fillojë mbajtjen e dënimit kur të vendosë gjykata. Gjithashtu pres që edhe Gruevski që është i dënuar me vendim të plotfuqishëm, atëherë kur të kthehet të mbajë dënimin e tij, i gjykuar është Sasho Mijallkov dhe politikanë të tjerë”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
Zaev theksoi se në kohën kur janë realizuar përgjimet masive, Prokuroria Publike ka qenë e vënë në funksion të politikës, kur pushteti është udhëhequr nga Nikolla Gruevski, në vend se të hetojë përgjimet e tilla joligjore dhe shkelje masovike të të drejtave të njeriut.
Zaev sqaroi se në kohën kur i ka poseduar materialet nga përgjimet katër herë është takuar me ish kryeministrin Nikolla Greuvski dhe i ka dëshmuar se posedon dëshmi, pas çka kishte pasur ndjekja për veprën penale "Puç". Një milion komunikime të ndryshme janë dorëzuar në Prokurorinë Speciale Publike, ndërsa janë përgjuar mbi 20 mijë qytetarë, tha Zaev. Gjatë dëshmisë së tij në seancë gjyqësore, as mbrojtja e as Mijallkov nuk patën pyetje drejtuar kryeministrit Zaev, përveç e akuzuara Jankullovska.
FLORIJE BELULI KAMBERI
