Maqedoni
Shtip, u dogjën pesë vetura të anëtarëve të LSDM-së
24.10.2019 18:04
Rreth orës 5 të mëngjesit janë djegur 5 vetura të anëtarëve të LSDM-së në Shtip, në lagjen “Senjak 3”, në rrugën “Boris Krajger”....

Veturat e djegura janë të anëtarëve të LSDM-së. Tri prej tyre janë djegur tërësisht, ndërsa dy vetura janë djegur pjesërisht. Ish deputetja e LSDM-së, Marinella Mariciq-Tusheva, publikoi video duke u djegur vetura e vëllait të saj, Nikolla Tushev, ish kryetar i degës së LSDM-së në Shtip dhe babait të saj, Mite Tushev. Ajo në rrjetin e saj në facebook shkroi: “Në agimin e ditës së VMRO-së dhe zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, aktivizohet ripërtëritja. Ujku qimen e ndërron, por zanatin nuk e harron”,- shkroi Mariciq-Tusheva.
Marinella Mariciq-Tusheva është bashkëshortja e Bojan Mariciq, këshilltar për integrime euroatlantike i kryeministrit, Zoran Zaev. Nga LSDM-ja reaguan, duke akuzuar VMRO-DPMNE-në për incidentin.
“Incidenti i fundit në Shtip, ku janë djegur veturat e anëtarëve të LSDM-së, është dëshmi e asaj se për çfarë ripërtëritje angazhohen Mickovski dhe VMRO-DPMNE-ja. Ja çfarë do të thotë ripërtëritje e regjimit, ripërtrim i përçarjes dhe dhunës mbi ata që mendojnë ndryshe. Ripërtëritje e dhunës fizike dhe arrestime të gazetarëve, ndërhyrje brutale dhe mbyllje të mediave. VMRO-DPMNE dhe Hristijan Mickoski janë të vetmit që janë kundër NATO-s, kundër BE-së, kundër reformave dhe interesave të shtetit”-, u shpreh zëdhënësi i LSDM-së, Konstadin Konstadinov.
Nga ana e MPB-së vetëm është konfirmuar incidenti, por nuk kanë dhënë detaje tjera. Prokuroria Publike thotë se janë duke e hetuar rastin dhe informacione më të hollësishme do të japin pas hetimit.
FARIJE DAUTI BAKIU
