Maqedoni
Çashkë, banorët maqedonas kundër paraleles shqipe
24.10.2019 18:29
Banorët maqedonas të komunës së Çashkës vazhdojnë të jenë kundër hapjes së paraleleve me mësim në gjuhën shqipe....

Banorët maqedonas të komunës së Çashkës vazhdojnë të jenë kundër hapjes së paraleleve me mësim në gjuhën shqipe në Shkollën qendrore “Todor Janev”. Pas paralajmërimeve për hapjen e paraleles për 40 nxënësit shqiptarë, një grup banorësh të tubuar qysh në orët e mëngjesit, protestuan para dyerve të shkollës kundër hapjes së paraleles me mësim në gjuhën shqipe.
“Problemi është se pse të hapet paralele shqipe kur ky është vendbanim 100% maqedonas. Nuk është njerëzore, unë nuk do të reagoja, por ky vendbanim është 100% maqedonas”,- tha një banore.
Protestuesit më pas shkuan tek komuna për të kërkuar mbështetje edhe nga kryetari i komunës.
“As ne si komunë e as këshilli nuk mundet nesër të sjellë vendim. Kjo është në kundërshtim me ligjin”,- theksoi një banor.
Banorët shqiptarë: Dikur mësonim edhe në shqip
Pas konfirmimit nga kryetari i komunës se paralele shqipe nuk do të ketë, banorët e ndërprenë protestën. Derisa fëmijëve nuk u lejohet të mësojnë në gjuhën shqipe, prindërit e tyre thonë se shkollimin e kanë kryer në gjuhën amtare.
“Unë kam mësuar edhe shqip edhe maqedonisht, por tani fëmijët e mi mësojnë vetëm maqedonisht, nuk ka, nuk lejojnë”,- theksoi një banor.
Ademi: Absurde organizimi i një proteste të tillë
Për ministrin e Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi, protesta e banorëve të Çashkës është absurde, pasi askush nuk mund ta mohojë të drejtën për mësim në gjuhën amtare.
“Mua më vjen keq që në shekullin 21 ende ka persona të cilët protestojnë për të mohuar të drejtën për t’u arsimuar ndonjë qytetari tjetër. Ne jemi qytetarë të këtij vendi, jemi nën të njëjtin qiell dhe mund të ecim përpara vetëm nëse bashkëpunojmë, i ndihmojmë njëri-tjetrit nëse ia zgjasim dorën. Për komunën e Çashkës dhe për komunën e Velesit, MASh-i ka qëndrim të qartë, ka mbështetje, është paraparë mbështetje dhe do të vazhdojmë me mbështetjen edhe në periudhën e ardhshme dhe me të vërtetë është absurde, jonormale dhe pa takt organizimi i një proteste të tillë”,- deklaroi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi.
Shkolla qendrore në Çashkë numëron rreth 120 nxënës, ku 40 nxënësit shqiptarë në këtë shkollë mësimin që nga klasa e parë janë të detyruar ta vijojnë në gjuhën maqedonase, sepse nuk u sigurohet mësim në gjuhën amtare.
MERITA GASHI
