Botë

Tryezë për reformën zgjedhore në Shqipëri

24.10.2019 18:53

Mazhoranca dhe opozita parlamentare kanë mbajtur këtë të enjte takimin e parë për reformën zgjedhore....

Opozita ka kërkuar që të mos miratohen propozimet teknike të ekspertëve, ndërsa mazhoranca propozoi disa risi për ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Nga ana tjetër, kryetari i Komisionit, Damian Gjiknuri, tha se do ta pranojë dokumentin e hartuar nga opozita jashtë parlamentit, edhe nëse ata nuk vijnë fare në Komision.
 
Por, opozita joparlamentare zhvilloi një tryezë paralele për reformën zgjedhore. Gazment Bardhi i Partisë Demokratike tha se nuk ka besim te Komisioni i ngritur nga shumica dhe se brenda 30 ditëve ekspertët do të dakordësojnë një dokument që do të miratohet nga kryetarët e partive opozitare.
 
Reforma zgjedhore është një ndër 9 kushtet që Bundestagu gjerman i vendosi politikës shqiptare për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit. Duket se palët ende nuk po gjejnë dakordësi, çka e vë në pikëpyetje këtë proces edhe për evoluimin e bisedimeve para Samitit të Zagrebit. 
 
LULJETA NDOKA