KOSOVË

PDK dështoi për të zgjedhur kryeparlamentarin

18.09.2014 15:31

Kuvendi i Kosovës, ka dështuar sërish në zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarit.......

Gjatë vazhdimit të seancës konstituive të kryesuar nga deputetja më e vjetër, Flora Brovina, Partia Demokratike e Kosovës ka fituar të drejtën e propozimit të kandidatit për kryetar.

Nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi, ka nominuar para deputetëve Arsim Bajramin e PDK-së për postin e kryetarit të Kuvendit. Mirëpo, votimi solli si rezultat vetëm 44 vota, të cilat nuk ishin të mjaftueshme.

Me këtë rast, deputetja, Flora Brovina, prezantoi rezultatin e votimit dhe ndërpreu seancën. Ashtu siç ishte paralajmëruar nga PDK-ja dhe deputetja Brovina, pas dështimit të kandidatit të Partisë Demokratike nuk i është dhënë mundësia që koalicioni paszgjedhor Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma dhe Vetëvendosje të propozojnë kandidatin e tyre.

Menjëherë pas ndërprerjes së seancës, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se pret që vazhdimi i seancës të ndodhë shumë shpejt. Në të kundërtën, ajo ka paralajmëruar disa hapa të koalicionit paszgjedhor edhe pse nuk ka qartësuar se për çfarë hapash bëhet fjalë.

Kandidat për  kryetar të Kuvendit nga koalicioni i gjerë është lideri i LDK-së, Isa Mustafa. Deputetja, Vjosa Osmani, ka thënë me këtë rast se pret që seanca të thirret nga fillimi i javës tjetër.

Për përcjelljen e vazhdimit të seancës konstituive të filluar që nga 17 korriku, kishte interesim të madh jo vetëm nga mediet, por edhe nga kori diplomatik në Prishtinë.

Në pjesën e vëzhguesve të seancave të Kuvendit ishin ulur edhe ambasadorja amerikane në Prishtinë, Tracey Ann Jacobson dhe personalitete tjera ndërkombëtare.