Botë

SHBA, Pentagoni do të rrisë praninë në Siri

25.10.2019 09:47

Pentagoni ka thënë se do të rrisë prezencën amerikane në rajonin veri-lindor të Sirisë...

Pentagoni ka thënë se do të rrisë prezencën amerikane në rajonin veri-lindor të Sirisë, për të parandaluar ndonjë kryengritje të re të ekstremistëve të grupit militant, Shteti Islamik, me synim të pushtimit të zonave të naftës.

Ky vendim vjen disa ditë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, ka njoftuar për tërheqje të trupave amerikanë nga zona e kufirit Siri-Turqi, duke lejuar forcat turke të krijojnë të ashtuquajturën “zonë të sigurt”, që nënkupton edhe largimin e luftëtarëve kurdë nga ky territor.

Deklaratat e fundit të Pentagonit, nuk kanë specifikuar numrin e trupave apo vendin e saktë të operacionit të tyre.

Forcat turke dhe ato ruse tani janë duke patrulluar zonën afër kufirit, që më parë u kontrollua nga forcat amerikane dhe milicia kurde.

Një korrespodent i Agjencisë së lajmeve AFP, ka thënë të ketë parë një patrullë ruse bashkë me disa flamuj të këtij shteti, duke u larguar nga pjesa e Qamishlit.

Vendimi i Trumpit për tërheqje të trupave është kritikuar nga demokratët dhe republikanët.