Maqedoni

Programe edukative në Kopshtin “Fidani”, mësim i fëmijëve për ruajtjen e ambientit

25.10.2019 16:03

Edukimi i fëmijëve për ruajtjen e ambientit jetësor, përmes projektit edukativ “Të pastër dhe të shëndetshëm”, i instaluar në Kopshtin “Fidani”...

Edukimi i fëmijëve për ruajtjen e ambientit jetësor, përmes projektit edukativ “Të pastër dhe të shëndetshëm”, i instaluar në Kopshtin “Fidani”, ka për qëllim nxitjen e aktiviteteve të rregullta në të gjitha kopshtet.
 
Ministrja e PPS-së, Milla Carovska, tha se është shumë me rëndësi që fëmijët nga mosha e hershme të mësojnë dhe të arrijnë shprehi pozitive me të cilat të gjithë bashkë do ta rrisim vetëdijen ekologjike.
 
“Investojmë në infrastrukturën e kopshteve, në përforcimin e kuadrit dhe në rritjen e pagave të edukatorëve dhe kopshteve. Punojmë në krijimin e programeve cilësore për punë me fëmijë. Nëse këtu nuk bëjmë programe mjaftueshëm cilësorë dhe nuk i përforcojmë fëmijët tanë në moshën më të re, ata do të arrijnë më pak rezultate edhe në shkollën fillore edhe në shkollën e mesme, edhe më tutje në tregun e punës. Një nga segmentet është edhe mjedisi jetësor dhe unë jam e sigurt se edukimi i tillë do të japë rezultate pozitive në mbrojtjen e përditshme të mjedisit jetësor”,- tha ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Mila Carovska.
 
Zbatimi i projektit me të cilin përforcohet vetëdija për mjedis ekologjik filloi në kopshtin “Fidani” dhe ofron përmbajtje edukative të dedikuara për fëmijët e moshës parashkollore.
 
“Mënyra kreative e transmetimit të njohurive mbi pastërtinë e ambientit jetësor përmes librave të ilustruara, video materialeve edukative dhe aplikacioneve argëtuese, padyshim se i kanë munguar metodologjisë edukative që aplikohet në kopshtet për fëmijë. Tani më lehtë dhe me efikasitet më të madh edukatoret dhe në veçanti prindërit do të mund të mbjellin dashurinë për ambientin jetësor në zemrën e fëmijëve dhe do të stimulojnë sjelljen e duhur shembullore tek ta”,- u shpreh kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu.
 
Projekti “Të pastër dhe të shëndetshëm” është i financuar nga ana e “Civica Mobilitas” dhe është zbatuar nga ana e “Balkan Ekonomik Forum” në bashkëpunim me komunën e Çairit. 
 
FARIJE DAUTI BAKIJU