FSSH, 15 implante kohleare për foshnjat me dëgjim të dëmtuar

25.10.2019 17:04

Nga Fondi për Sigurim Shëndetësor këtë vit janë miratuar dhe vendosur 15 implante kohleare...

Nga Fondi për Sigurim Shëndetësor këtë vit janë miratuar dhe vendosur 15 implante kohleare për foshnjat e sapolindura me dëmtim të shqisave të të dëgjuarit. Por, mjekja Davçeva Çakar potencoi se deri në muajin e tretë tek foshnjat duhet të mbarojnë analizat nëse ka dëmtim të dëgjimit, ndërsa deri në muajin e gjashtë të bëhet intervenim dhe të vendoset implanti.

“Nuk ka skrining neonatal, gjegjësisht skrining për dëgjimin e fëmijëve të sapolindur. Ajo do të thotë se ne nuk mundemi që të kemi mbikëqyrje të saktë se sa fëmijë kanë dëmtim të rëndë të dëgjimit, sa fëmijë janë të shurdhër dhe sa është nevoja për implante kohleare në nivel vjetor”,- tha udhëheqësja, prof. Dr.  Davceva Cakar, nga Klinika universitare për veshë, hundë dhe fyt.

Kirurgu, Besim Zekiri, u apelon prindërve që sapo të vërejnë diçka të dyshimtë se fëmijët e tyre kanë probleme me dëgjimin, menjëherë të lajmërohen tek mjeku.

“Është shumë me rëndësi që prindërit të cilët do të vërejnë dëmtim të dëgjimit apo ulje të dëgjimit tek fëmijët e tyre, menjëherë të lajmërohen tek mjeku amë apo në Klinikën universitare për veshë, hundë dhe fyt, ku në kohë do të diagnostifikohet fëmija dhe do të trajtohet në mënyrë kirurgjike, pastaj edhe të rehabilitohet, për arsye se në të kaluarën këta fëmijë kanë pasur edhe probleme në të folur”,- theksoi kirurgu, Besim Zekiri.

Për çdo vit në vendin tonë regjistrohen mbi 270 fëmijë me probleme të ndryshme në dëgjim, ndërsa mesatarja është se në një nga një mijë fëmijë të sapolindur vërtetohet humbje e plotë e dëgjimit. (Gazmend Kurtishi, TVM2)