Hapja e paraleles shqipe në Çashkë, autoritetet premtojnë zgjidhje javën e ardhshme

25.10.2019 17:25

Zgjidhja e problemit me paralelen shqipe për nxënësin shqiptarë në Shkollën “Todor Janev” në komunën e Çashkës....

Zgjidhja e problemit me paralelen shqipe për nxënësin shqiptarë në Shkollën “Todor Janev” në komunën e Çashkës, do të tentohet të arrihet gjatë javës së ardhshme mes komunës dhe përfaqësuesve të pushtetit qendror.

Kryetari i Këshillit komunal, Halit Ferati, u shpreh se si koalicion që janë në Këshillin komunal janë të të vendosur për të zgjidhur problemin pavarësisht kundërshtimit që bëjnë këshilltarët e VMRO-DPMNE-së.

“Ky problemi merr kahje ndëretnike dhe nuk zgjidhet problemi, po vetëm shtohet në koncept ndëretnik. Sollëm një vendim ku autorizohet drejtoresha e shkollës dhe kryetari komunës që të veprojnë për zgjidhjen e problemit të arsimit shqip në komunën tonë dhe ditën e hënë ose të martën në nivel qendror me përfaqësues të qeverisë dhe me Ministrinë e Arsimit dhe ne si përfaqësues të këtij populli dhe kryetari i komunës jemi të gatshëm të veprojmë deri në fund”,- deklaroi kryetari i Këshillit komunal të komunës së Çashkës, Halit Ferati.

E këshilltarët e VMRO-DPMNE-së, që pengojnë zgjidhjen e problemit pas mbledhjes, nuk dhanë sqarime se përse pengojnë paralelen shqipe.

Kreu i kësaj partie, Hrsitijan Mickovski, u shpreh se nuk është njoftuar me problemin në fjalë, ndërsa hodhi poshtë zërat se partia e tij organizon qytetarët për të dalë në protesta në këtë komunë.

Kryetari i komunës së Çashkës, Goran Stojanovski, u shpreh optimist se së bashku me ministrin e Arsimit do të gjejnë zgjidhje për nxënësit shqiptarë të kësaj ane.

“Unë si kryetar i komunës dhe bashkë me nga një përfaqësues të subjekteve politike në këshill, do të realizojmë takime edhe me ministrin edhe me kryeministrin me të vetmin qëllim, që të gjendet zgjidhje që fëmijët të mësojnë në gjuhën e tyre amtare, që iu garantohet edhe me ligj. Pas konsultimeve që do t’i kemi me ministrinë do të shohim që të gjejmë zgjidhje”,- u shpreh kryetari i komunës së Çashkës, Goran Stojanovski.

Propozimi për hapjen e paraleles shqipe në këtë shkollë u kundërshtua edhe në Këshillin komunal, nga 10 këshilltarët e pranishëm, 6 votuan “për” dhe 4 ishin “kundër”. (Zekirja Mexhiti, TVM2)