Koalicionimet parazgjedhore, Zaev: Debati hapet pas një muaji
LSDM debatin për koalicionime parazgjedhore me parti të tjera...

LSDM debatin për koalicionime parazgjedhore me parti të tjera do ta hap para fundit të muajit të ardhshëm. Kryeministri, Zoran Zaev, njëherësh lider i social-demokratëve, thotë se ende është herët për të folur për koalicionime parazgjedhore dhe qëndrimi për një vendim përfundimtar do të bëhet i ditur në fillim të marsit.
“Ne as që kemi hapur debatin dhe e kemi ndërmend që ta hapim as deri në fund të nëntorit, zgjedhjet janë larg, kemi gjashtë muaj deri në zgjedhje, deri në fushatë ka pesë muaj. Kjo do të ndodh nga fundi i shkurtit, fillimi i marsit, kur do të marrim pozicionet tona, andaj është herët të flasim për këtë”,- theksoi kryeministri, Zoran Zaev.
Mickovski: Jemi në komunikime me partitë
VMRO–DPMNE ka nisur negociatat për koalicionime parazgjedhore. Kryetari i partisë, Hristijan Mickovski, tha se po kërkohet përafrim i qëndrimeve në interes të qytetarëve.
“Bisedojmë me shumë parti politike, bisedimet do të vazhdojnë dhe në rast se kemi pikë të përbashkët dhe gjejmë interes të përbashkët, i cili do t’i përshtatet interesit të qytetarëve të Maqedonisë. Unë nuk shoh kurrfarë pengese që të nënshkruajmë marrëveshje për koalicion parazgjedhor, por edhe të lëmë hapësirë që t’i nivelizojmë qëndrimet në koalicione paszgjedhore”,- theksoi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.
Mickovski thotë se deri në zgjedhje ka hapësirë për ndryshimin e kodit zgjedhor, sidomos në pjesën e financimit të fushatës dhe partive politike. VMRO në fushatë do të shpalos programin për një bum ekonomik, pasi duke u thirrur në raportin “Doing Biznis” të Bankës Botërore, qeveria ka shënuar cunami ekonomik.
Nga LSDM me qëndrime të kundërta se politikat ekonomike të qeverisë janë në rrugë të drejtë, pasi rritet ekonomia, pagat minimale, borxhi publik është stabilizuar, shkalla e papunësisë është në 17.5%, ndërkaq për dy vite në sektorin privat janë hapur mbi 54 mijë vende pune. (Meral Ismaili, TVM2)
