Fushata për arsimin dual: Perspektivë për të rinjtë në të ardhmen

25.10.2019 18:03

Përmirësimi i imazhit dhe reputacionit të arsimit të mesëm profesional....

Përmirësimi i imazhit dhe reputacionit të arsimit të mesëm profesional dhe motivimi i të rinjve për të krijuar një karrierë në këtë segment është qëllimi i fushatës "Gjeni një profesion", të promovuar sot në Shkollën e Mesme të Ndërtimtarisë dhe Gjimnazit “Zdravko Cvetkovski”.

Kryeministri, Zoran Zaev, theksoi se modelet e reja të arsimit profesional praktikohen në pesë komuna, ku të rinjtë në arsimin e mesëm kualifikohen dhe drejtohen sipas nevojave të tregut të punës.

“Edhe pse shifra e të papunësuarve ka rënë në 17.5 për qind, është rëndë që të gjendet fuqi e kualifikuar e punëtorëve. Nëse bëjmë lidhje të mirë të të rinjve që kryejnë shkollimin e mesëm  profesional dhe kompanive si edhe institucioneve shtetërore, do të jetë gjithçka më e lehtë në të ardhmen. Arsimi dual është i njohur në Europë dhe njëherë ajo nënkupton që menjëherë pas shkollimit të mesëm sigurohet punë afatgjate dhe të rinj me kualitet dhe përvojë”,- theksoi kryeministri, Zoran Zaev.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi, me këtë rast tha se është arritur që të bëhen reforma të tërësishme për shkollat profesionale,  duke i përshtatur planprogramet e shkollave me kërkesat e tregut të punës.

“Këtë vit kemi bërë reforma të tërësishme në sistemin arsimor profesional, kemi plane të reja mësimore të cilat janë në përputhje me kërkesat e tregut të punës. Jemi duke punuar shumë për të zgjeruar konceptim për arsim dual, kemi filluar që ta implementojmë këtë koncept me EVN - Maqedoni dhe presim që në të ardhmen ta zgjerojmë këtë bashkëpunim me sektorin privat”,- theksoi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi.

Ministrja Carovska tha se projekti për sistemin dual është dhe ndihmë për realizimin e projektit të qeverisë për vetëpunësim.

“Me këtë masë i japim mundësi të rinjve që janë të aftësuar të jenë dhe biznesmenë në të ardhmen dhe nëpërmjet masës së qeverisë për përkrahje të bizneseve për vetëpunësim, ku janë dedikuar 8 milion euro. Besoj se të rinjtë do të jenë më të pavarur dhe më të përgatitur për avancimin e tyre në karrierë”,- tha ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Mila Carovska.

“Kemi dëgjuar se sektori privat ankohet se ka pengesa për gjetjen e kuadrove adekuatë për atë kemi financuar projektin për arsim dual, për të lehtësuar bashkëpunimin mes arsimit të mesëm profesional, shkollave fillore dhe sektorit privat. Në këtë projekt mund të kyçen të rinjtë e shkollave fillore dhe të mesme të cilët janë të interesuar që të bëjnë punë praktike për t’u njohur me profesionin e tyre të ardhshëm”,- u shpreh ambasadorja e Zvicrës në RMV, Simil Sueter Tehada.

Fushata mbështetet nga USAID, UNDP, Ambasada zvicerane në vend, Organizata Ndërkombëtare e Punës, si dhe nga MPMS, MASh dhe Agjencia e Punësimit. (Gazmend Rexhepi, TVM2)