Dështon zgjedhja e kryeparlamentarit të Kosovës
Partia Demokratike e Kosovës, ka dështuar në tentativën për të zgjedhur sot kryetarin e Kuvendit të Kosovës nga radhët e saj......

Në mbledhjen e kryesuar nga deputetja e PDK-së, Flora Brovina, nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi, ka propozuar kandidatin e këtij subjekti për kryetar të Kuvendit të Kosovës Arsim Bajramin, por kandidatura e tij mori vetëm 44 vota të deputetëve, ndërsa kundër ishin 61 dhe 11 abstenuan. Pasi Bajrami nuk i siguroi votat e mjaftueshme, kryesuesja e ndërpreu mbledhjen.
“Kandidati nuk mori votat e mjaftueshme për t’u shpallur kryetar i Kuvendit, prandaj jam e detyruar ta ndërpres këtë seancë”- deklaroi kryesuesja e mbledhjes, Flora Brovina.
Seanca e sotme dëshmoi se Partia Demokratike e Kosovës nuk e ka zgjidhjen dhe se zgjidhja e kësaj situate është tek blloku LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje, thekoi lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, duke lexuar një deklaratë të përbashkët të bllokut opozitarë.
“Plot 100 ditë që prej datës së mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme, ishin të pamjaftueshme për PDK-në që të krijojë shumicën në kuvend. Sot, shumica absolute, pra 61 deputet ishin kundër propozimit të PDK-së, kandidati i së cilës i mori vetëm 44 vota. Koalicioni i shumicës parlamentare konstaton se ndërprerja e seancës nga kryesuesja, deputetja Brovina, pa e respektuar të drejtën e deputetëve të koalicionit të shumicës për fjalë, ishte jo korrekte”- tha Albin Kurti nga Vetëvendosje.
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa dhe ai i AAK-së, Ramush Haradinaj, paralajmëruan se blloku nuk do të rrijë duarkryq dhe se do të veprojë në mënyrë që institucionet të ndërtohen sa më shpejtë.
"Në qoftë se nuk e thërret shpejtë dhe nuk e përcakton kohën e seancës së ardhshme kryesuesja, ne do të kërkojmë që seanca e ardhshme të mbahet sa më shpejtë, sepse nuk kemi kohë për të humbur”- theksoi kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.
“Tani ajo që ka mbet është me u pa sa më tutje pas këtyre 100 ditëve, do të vazhdojë abuzimi edhe vonesat në Parlamentin e Kosovës. Edhe ne nuk do të rrimë duarkryq. Pra, koalicioni LDK, AAK, Nisma dhe VV do të veprojnë që institucionet e vendit të ndërtohen sa më shpejtë”- u shpreh kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Në vijë të njëjtë me partitë tjera opozitare ishte edhe Nisma për Kosovën. Por, Partia Demokratike e Kosovës vazhdon të insistojë se kryeparlamentari duhet t’i takojë kësaj partie.
Në një komunikatë me shkrim thuhet se “Partia Demokratike e Kosovës, rikujton se duke u bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, si dhe në Rregulloren e Punës së Kuvendit, e drejta për të nominuar kandidatin për kryetar të kuvendit paraqet një të drejtë të patjetërsueshme dhe të patransferueshme të Grupit Parlamentar të PDK-së, si grupi më i madh parlamentar në kuvend”. (Gyltene Sinani, TVM2)
