Bujqit dhe blegtorët protesta para qeverisë, kërkojnë pagesë të rregullt të subvencioneve
Blegtorët, vreshtarët, prodhuesit e qumështit dhe përfaqësuesit e disa shoqatave bujqësore....

Blegtorët, vreshtarët, prodhuesit e qumështit dhe përfaqësuesit e disa shoqatave bujqësore protestuan, për shkak të mospagesës në kohë të subvencioneve. Ata thonë se ndjehen të mashtruar nga zyrtarët pasi subvencionet nuk janë paguar për 22 muaj.
“Ne kemi ardhur të shprehim revoltën tone. Ne si prodhues të qumështit nga Pellagonia kërkojmë subvencionet të paguhen ashtu si te duhani. Të merren si në Serbi dhe Greqi pasi ne nuk kemi marrë subvencione as për litër e as për kokë bagëtie disa vite me radhë. Ndjehemi të mashtruar nga kjo Qeveri. Dje na lëshuan për katër muaj, ndërsa na kanë borxh 22 muaj” – u shpreh Borçe Buçinski, prodhues qumështi.
“Nëse nuk plotësohen kërkesat tona që i kemi me shkrim do të vijmë përsëri ndërsa do të jemi më ashpër se tani, do të nisim me bllokimin e rrugëve” – tha një bujk.
Marshin protestues e filluan nga udhëkryqi tek Mavrovasja në Shkup për të vazhduar në drejtim të Urës Goce Dellçev, ku hodhën edhe prodhime bujqësore. Por nga Ministria e bujqësisë thonë se subvencionet i paguajnë në kohë dhe në mënyrë joselektive.
Në dy vitet e fundit janë paguar 314.5 milionë euro, në bazë të pagesave aktuale dhe borxheve të mbetura nga pushteti i kaluar, dhe me rebalancin e buxhetit janë siguruar 915 milionë denarë tjera për subvencione. (Gyltene Sinani, TVM2)
