Konferenca shkencore “Lasgush Poradeci në 120 vjetorin e lindjes”

26.10.2019 20:47

Në universitetin “Fan S. Noli” të Korçës u mbajtë konferenca shkencore “Lasgush Poradeci në 120 vjetorin e lindjes”....

Në universitetin “Fan S. Noli” të Korçës u mbajtë konferenca shkencore “Lasgush Poradeci në 120 vjetorin e lindjes” në të cilën me kumtesat e tyre u prezentuan studijues të njohur nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia.

Konferencën shkencore kushtuar 120 vjetorit të lindjes së poetit të madh Lasgush Poradeci, e hapi Prof. Dr. Ali Jashari, rektor i Universitetit të Korçës Fan S. Noli, i cili me këtë rast i ndau mirënjohje vajzës së poetit Marie Gushos për nxjerrjen në dritë të veprës së të madhit Lasgush Poradeci. Ajo me këtë rast para të pranishmive foli edhe për jetën e njohur dhe të panjohur të Lasgushit.

Në tri sesionet e zhvilluara u prezentuan një sërë kumtesash mbi veprën e Lasgush Poradecit të cilat pasqyrojnë specifikat e fjalës së tij poetike dhe vlerat e padiskutueshme të Lasgushit, si njëri ndër lirikët më të mëdhenj të krijimtarisë shqiptare dhe më gjerë.

Konferenca shkencore ndërkombëtare kushtuar 120 vjetorit të lindjes së Lasgush Poradecit u organizua nga Universiteti “Fan S. Noli” nga Korça, në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, Institutin Albanologjik të Prishtinës, Akademinë e Studimeve Albanologjike të Tiranës dhe Institutin e Trashëgimisë shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve të Maqedonisë. (Shaban Dalipi, TVM2)