SHKUP

Filloi rekonstruimi i kanalizimit në Seravë të Çairit

18.09.2014 16:33

Sipas drejtorit të Ndërmarrjes Publike “Ujësjellësi”, Bojan Vasilevski, projekti kap vlerën e 4 milion denarëve....

Pas problemeve nga të reshurat e shiut, me të cilat u përballën shumë banorë të Shkupit, Ndërmarrja Publike “Ujësjellësi dhe kanalizimi” në bashkëpunim me Qytetin e Shkupit dhe Komunën e Çairit, filluan rikonstruimin e kanalizimit fekal në rrugët e lagjes Serovë.

4 ditë përpara rikonstruimit u bë pastrimi i kanalizimeve fekale në të gjitha rrugët e lokalitetit të Serovës. Sipas drejtorit të Ndërmarrjes Publike “Ujësjellësi”, Bojan Vasilevski, projekti kap vlerën e 4 milion denarëve.

“Sot fillon rikunstruimi në dy 2 rrjete në Komunën e Çairit, rikonstruojmë kanalizimin fekal me gjatësi prej 86 metra dhe gjithashtu bëjmë rikunstruimin e kanalizimit atmosferik me gjatësi prej 200 metrave. Investimi në fjalë është siguruar me mjetet e Ndërmarrjes Publike të “Ujësjellësit”–Shkup dhe i njëjti arrin shumën prej 4 milion denarëve”- deklaroi drejtori i Ndërmarrjes Publike “Ujësjellësi”, Bojan Vasileski.

Ky rikonstruim do të përmirësojë shumë gjendjen gjatë të reshurave të mëdha të shiut, por nuk do ta ndryshon në tërësi problemin pa realizimin e projektit të paraparë nga Komuna e Çairit.

“Pastrimi që iu bë kanalizimit fekal në rrugët e lokalitetit Serovë dhe rikontruimi i këtyre dy rrugëve “Mesta” dhe “Stojna Stefova”, dukshëm do të ndihmojë edhe gjatë të reshurave atmosferike, mirëpo që të përmirësohet situata në përgjithësi, presim që të bëhen projektet që i ka filluar Komuna e Çairit për kanalizimin atmosferik dhe ujësjellësin. Me realizimin e këtyre projekteve në tri faza, atëherë unë mendoj se qytetarët e lokalitetit Serova nuk do të kenë problem”- tha këshilltari në Qytetin e Shkupit, Qemal Musliu.

Iniciativën e këtillë e përshëndetën të gjithë banorët e lagjes Serovë, shtëpitë e të cilëve u mbushën me ujë nga vërshimet si pasojë e problemeve me kanalizimin, ata shpresojnë që Komuna e Çairit t’i realizojë projektet për të mos u përballë me të tilla probleme në të ardhmen. (Farije Dauti-Bakiu, TVM2)